Serbia pezullon lëshimin e targave ilegale serbe





Serbia ka pezulluar lëshimin e targave ilegale me akronime si KM., PZ., PR., GL., e të tjera për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Ashtu siç deklaroi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit të së hënës në Bruksel, Serbia është pajtuar me propozimin e zyrtarëve evropianë që ta ndalë furnizimin e serbëve me targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Tashmë ka filluar që të implementohet ky vendim dhe institucionet shtetërore të Serbisë nuk do të lëshojnë më targa me inicialet e qyteteteve të Kosovës.

Ndërkaq, disa orë përpara afatit të fundit, kur policia do të fillonte lëshimin e gjobave prej 150 eurosh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi ta shtyjë vendimin për masën e gjobitjes edhe për 48 orë të tjera, duke thënë se ishte “i lumtur që punonte me SHBA-në dhe BE-në”.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Ndryshe, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën pritet të niset për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Udhëtimi, siç mëson Albanian Post nga burimet në Bruksel, vjen në kuadër të përpjekjeve të fundit për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së targave.

Përpjekjet po bëhen në kuadër të kërkesës amerikane, pas pranimit të Kurtit që të shtyjë vendimin për masën e gjobitjes edhe për dy ditë, duke iu përgjigjur ftesës për edhe një raund bisedimesh me shpresë zgjidhjen më afatgjatë të çështjes.

Siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel, BE-ja kishte një propozim në tavolinë i cili kërkonte nga Serbia që të mos emetojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Kërkesa për bashkim propozimesh nuk ishte pranuar, prandaj Kurti refuzoi të vë nënshkrimin.

Derisa udhëtimi i Bislimit për në kryeqendrën politike të Evropës, konsiston pikërisht në këtë tentim të fundit për rrugëzgjidhje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte mëngjesin e së martës duke filluar nga ora 08:00 dhe deri në skadimin e afatit të vendosur nga qeveria dhe varësisht nga epilogu i takimit të Bislimit në Bruksel, nuk dihet se çfarë do të ndodhë, a do të qarkullojnë serbët me targa RKS, KM apo KS në territorin e Kosovës.