Serbia shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 17 dhjetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 17 dhjetor, raporton RTS.

Vuçiq ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Serbia të ruajë paqen, stabilitetin dhe kohezionin e brendshëm dhe të demonstrojë demokraci.

“Të dashur qytetarë, ju uroj zgjedhje të mbara, jetojmë në kohë të vështira për të gjithë botën, në një kohë sfidash globale, luftërash dhe konfliktesh, në një kohë kur është e nevojshme që të gjithë të jemi të bashkuar në luftën për ruajmë interesat jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Serbisë, në një kohë në të cilën do të përballemi me presione të shumta për shkak të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështje të tjera rajonale dhe botërore”- tha Vuçiq në fjalimin e tij pas shpalljes së zgjedhjeve.

Më 30 tetor 2023, Qeveria e Serbisë i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozim të arsyetuar për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar dhe shpalljen e zgjedhjeve për deputetë.

Siç thuhet nga Qeveria, mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në rrethanat ekzistuese do të siguronte një shkallë më të lartë të demokracisë, do të zvogëlonte tensionet e krijuara ndërmjet opsioneve kundërshtare në shoqëri, duke refuzuar ekskluzivitetin dhe gjuhën e urrejtjes dhe duke afirmuar të drejtën për të shprehur lirisht mendimet dhe pikëpamjet për disa çështje politike, ekonomike dhe të tjera, duke përfshirë afirmimin e mëtejshëm të vlerave evropiane.