Futbolli italian po përjeton një moment magjik, Serie A shkon me 7 ekipe në 7 në fazën me eliminim direkt në të gjithë turnet evropianë. Ky është një rezultat fantastik që pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm duke nisur që nga sezoni pasues, ku formati i Champions League do të jetë me 36 ekipe, Serie A pritet të përfaqësohet jo më me katër ekipe, por me 5 ekipe në fazën e grupeve.
Pas Inter, Napoli e Lazio nga Champions, në Europa League kaluan më tej Roma dhe Atalanta, ndërsa i bashkohet edhe Milan. Në Conference League vijon më tej Fiorentina. Për momentin, duke iu referuar renditjes aktuale të UEFA, Italia qëndron në vendin e parë, e ndjekur nga Gjermania, Anglia dhe Spanja.
Premier League ka pësuar një rënie të ndjeshme pasi ishullorët humbën dy ekipe në Champions dhe në Evropë, Man.United dhe Newcastle mbyllën grupet respektive në vendet e fundit. Spanja, në Champions humbi vetëm Sevilla-n që e mbylli e fundit në grup, ndërsa Gjermani humbi Union Berlin. Franca, është vendi i tjetër pas Italisë, që u kualifikua në fazën me eliminim direkt me të gjithë ekipet që ishin në lojë 6 në 6.