Si ndikojnë tek fëmijët bullizmi dhe injorimi nga shoqëria?

Bullizimi dhe injorimi janë disa nga problemet serioze që kanë ndikim të theksuar në zhvillimin emocional dhe sjelljen e fëmijëve.

Lidhur me fenomenin e bullizmit dhe ndikimin e injorimit të fëmijëve në gjendjen e tyre emocionale ka treguar në një intervistë për Klankosova.tv, psikologia klinike Greta Imeri.

“Bullizimi dhe injorimi janë disa nga problemet serioze në shoqërinë tonë që kanë ndikim të theksuar në zhvillimin emocional dhe sjelljen e fëmijëve. Si i tillë, bullizmi mund të shfaqet në forma të ndryshme, si ngacmim fizik ballë për ballë, ashtu edhe ngacmim nëpërmjet internetit”.

Sipas saj, disa nga format më të zakonshme përfshijnë: Bullizmi (ngacmimi) fizik: Kjo përfshin goditjen, shkelmimin, shtyrjen apo të pështyrën. Bullizmi (ngacmimi) verbal: Përfshin ngacmime, kërcënime, thirrje në emër që mund të jetë fyese, duke përfshirë gjuhën raciste ose homofobike, ose dhe të bërtiturat.

Ajo theksoi se statistikat e fundit tregojnë se afërsisht një në pesë nxënës të moshës 12 dhe 18 vjeç ka përjetuar bullizëm.

Sipas psikologes Imeri, kjo ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe sjelljen e fëmijëve.

“Fëmijët që përjetojnë këto forma të bullizmit mund të kenë mungesë të vetëbesimit, të përjetojnë simptoma të ankthit, depresionit, dhe ndjenja të vetëfajësimit. Ata gjithashtu mund të ndikohen në aftësitë e tyre sociale dhe performancën akademike”

“Ata gjithashtu mund të ndikohen në aftësitë e tyre sociale dhe performancën akademike. Fëmijët që përjetojnë ngacmim në mënyrë konsistente, kanë prevalencë më të madhe të zhvillimit të çrregullimit të depresionit, i cili mund të shfaqet me simptoma si: probleme me gjumin, ndryshime të oreksit, shqetësime emocionale”, deklaroi Imeri.

Ajo shtoi se ngacmimi gjithashtu mund të dërgojë në shtimin e simptomave të ankthit, duke e bërë të vështirë për fëmijët të krijojnë marrëdhënie dhe të kenë sukses akademik.

A mund të bëhen të dhunshëm ose të kryejnë akte kriminale fëmijët që bullizohen?

“Nuk është e lehtë të përcaktohet se sa të larta janë gjasat që fëmijët që përjetojnë bullizëm dhe injorim do të bëhen të dhunshëm ose të kryejnë akte kriminale. Megjithatë, studimet kanë treguar se fëmijët që janë viktimat e bullizmit kanë më shumë gjasa të përjetojnë konflikte dhe të shfaqin sjellje destruktive në të ardhmen”, tha psikologia.

Si mund të ndihmohen fëmijët që përjetojnë bullizëm?

“Ndihma për fëmijët të cilët përjetojnë bullizëm dhe injorim duhet të përfshijë çdo herë komunikim të hapur, mbështetje emocionale, dhe ndihmën profesionale me këshillim psikologjik”

“Është shumë e rëndësishme të tregojmë mbështetje dhe të ndihmojmë fëmijët të ndiejnë se janë të vlerësuar dhe të kujdesemi për ta”, deklaroi Imeri.

Ajo tha se nuk duhet harruar se duhet të ketë ndërhyrje të hershme, dhe komunikim të hapur që sipas saj janë çelësi për trajtimin dhe parandalimin efektik të bullizmit.