Belgjika është skuadra përfaqësuese më e mirë në glob, teksa kryeson për momentin klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, por “djajtë e kuq” gjithashtu u bënë edhe ekipi i parë që preu biletën për të marrë pjesë në fazën finale të edicionit të 16 të kampionatit evropian të futbollit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez e garantoi kualifikimin që më datën 10 tetor të vitit 2019, ndërkohë sa për kuriozitet Italia e siguroi pjesëmarrjen vetëm dy ditë më vonë. Kombëtarja belge konsiderohet si një ndër favoritet e këtij edicioni dhe me shumë gjasa ky kampionat do të jetë edhe evropiani i fundit, për një pjesë të rëndësishme të kontigjentit të futbollistëve të kësaj përfaqësueseje, për shkak të moshës së madhe.
Shorti është treguar vërtet shumë i mirë me ekipin që kryeson renditjen botërore, duke patur parasysh që “djajtë e kuq” do të përballen në fazën hapëse me Danimarkën, Rusinë dhe Finlandën. Duke lënë mënjanë Belgjikën renditjen më të lartë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s nga ekipet e këtij grupi e ka Danimarka, që pozicionohet në vendin e 10, ndërsa Rusia dhe Finlanda klasifikohen respektivisht në vendet 38 dhe 54 të kësaj renditjeje.
Takimi Belgjikë – Rusi përfaqëson duelin më të fortë të ditës së dytë të këtij evropiani dhe me shumë gjasa do të influencojë edhe ecurinë e mëtejshme të këtyre dy skuadrave. Bëhet fjalë për sfidën e katërt të edicionit të 16 të kompeticionit më të rëndësishëm të “Kontinentit të Vjetër” në rang përfaqësuesesh, një ndeshje që do të mbahet në Stadiumin Krestovsky të Shën Petërsburgut, në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga kryesori Mateu Lahoz, pikërisht arbitri spanjoll që gjykoi edhe finalen e fundit në Champions League, Chelsea – Manchester City.
Për fatin e keq të Belgjikës kampionati u shty me 12 muaj për arsye të përshkallëzimit të situatë së koronavirusit dhe tani “les diables rouges” nuk kanë më të njëjtën formë. 20 muaj më vonë skuadra e drejtuar nga 47-vjecari katalanas është duke ndjerë presionin që përcjell natyrshëm vendi i parë në rruzull, apo qoftë edhe formën jo shumë të mirë si dhe dëmtimet e disa lojtarëve tepër të rëndësishëm të këtij ekipi. Belgjika dhe Italia janë dy përfaqësueset e vetme që u kualifikuan nga faza e grupeve në sfidat eliminatore të Kontinentit të Vjetër me rekordin perfekt, 10 fitore në 10 ndeshjet e luajtura, duke grumbulluar 100% të pikëve.
“Djajtë e kuq” e përfunduan aventurën e tyre në fazën e grupeve me golaverazhin mbresëlënës 40-3, duke lënë poshtë për 6 pikë më pak kombëtaren e Rusisë dhe patur plot 15 pikë diferencë me Skocinë e vendit të tretë. Goglat u treguan tekanjoze, duke përballur sërish Belgjikën me Rusinë, sidoqoftë takimi do të luhet në Shën Petërsburg dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Stanislav Cherchesov do të ketë favorin e faktorit fushë. Në botërorin e fundit Belgjika e mbylli aventurën në shkallën më të ulët të podiumit, duke fituar finalen e vogël me Anglinë.
3 vjet më parë ekipi i Roberto Martinezit zhvilloi vetëm një takim gjithsej në Qytetin e Shën Petërsburgut, atë me Francën në fazën gjysmëfinale, ku “blutë” triumfuan falë një goli të mbrojtësit Samuel Umtiti, në fillimin e pjesës së dytë. Për hir të së vërtetës ky takim me shumë gjasa do të mbahej në Bruksel, në Eurostadium në Grimbergen, por punimet e këtij impianti u vonuan ndjeshëm dhe kryeqyteti belg hoqi dorë nga pritja e ndeshjeve të këtij evropiani.
Belgjika merr pjesë për herë të dytë radhazi dhe të gjashtën në total në një kompeticion të tillë, ndërsa Rusia figuron për herë të 12 në fazat finale të këtij aktiviteti. Belgjika që është grumbulluar në atdhe, në Tubize do të fluturojë drejt Rusisë pa mesfushorin Axel Witsel, ndërkaq në dyshim për shkak të problemeve fizike mbeten Eden Hazard dhe Kevin De Bruyne. Rusia vazhdon të ketë në përbërje 37-vjecarin Yuri Zhirkov, që do të kontribuojë për herë të pestë për vendin e tij në një aktivitet madhor.
Belgjika ka fituar 5 përballjet e fundit kompetitive ndërmjet këtyre dy vendeve dhe “djajtë e kuq” kryesojnë gjithashtu edhe bilancin e përgjithshëm 6-4 me fitore në 12 takimet ndërmjet tyre. Pika e dobët e miqve duket se është mbrojtja, me lojtarë si Alderëeireld, Vertonghen dhe Vermaelen që së bashku kapin shifrën e 101 vjetëve. Këtë herë Belgjika do të mundohet të bëjë të paktën më mirë se sa në evropianin e fundit, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Marc Wilmots u eliminua që në fazën çerekfinale me shifrat 3-1 nga Uellsi, ndonëse golin e parë të takimit e realizoi Nainggolan pa u mbushur as gjysma e pjesës së parë.
Më herët në orën 18:00 po për Grupin B do të masin forcat Danimarka dhe Finlanda, takim që do të mbahet në Stadiumin Parken të Kopenhagenit. Danimarka ka privilegjin për t’i zhvilluar që të gjitha ndeshjet pikërisht në kryeqytet, për më tepër takimin e parë vendasit do ta kenë ndaj Finlandës, që debuton në fazën finale të këtij kompeticioni, bashkë me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Miqtë nuk do të kenë sulmuesin kryesor, futbollistin e Norëich City-t Teemu Pukki, ndërkaq Danimarka ka fituar minimalisht 1-0 dy sfidat e vetme kompetitive, si dhe kryeson bilancin e përgjithshëm të 65 përballjeve mes tyre, 39-14 me fitore.
Ndeshja që do të çelë programin e ditës së dytë të këtij evropiani është Uells – Zvicër, që do të luhet në orën 15:00 në Azerbajxhan, në Stadiumin Olimpik në Baku. Ky është një takim i vlefshëm për Grupin A, grup ku përfaqësuesja helvete është e shtrënguar për të përshkuar plot 20.000 kilometra, duke patur parasysh që Zvicra është grumbulluar në Qytetin e Romës. Zvicra merr pjesë për herë të pestë në këtë aktivitet, ndërsa “dragonjtë” debutuan pesë vjet më herët në Francë duke shkuar deri në katërshe, ku u eliminuan pikërisht nga Portugalia e Cristiano Ronaldos. Zvicra ka fituar 3 nga 4 sfidat kompetitive ndërmjet dy vendeve, si dhe kryeson 5-2 me fitore bilancin e përgjithshëm të 7 ndeshjeve mes këtyre dy përfaqësueseve.