Ekzaktësisht 12 muaj më vonë bëhet gati për të startuar faza finale e kampionatit evropian, ngjarja më e rëndësishme futbollistike në Kontinentin e Vjetër në rang përfaqësuesesh. Bëhet fjalë për edicionin e 16 të këtij kompeticioni, që për herë të parë në histori u shty në kohë, për arsye të pandemisë së koronavirusit si dhe përshkallëzimit të situatës dhe ndalimit në masë të gjerë të të gjitha aktiviteteve të këtij sporti, prej rrezikut të infektimit me virusin Covid–19. Gjithçka ishte programuar fillimisht për t’u zhvilluar nga 12 qershori deri më datën 12 korrik të vitit të kaluar, ndërsa tani ky kompeticion është afruar me një ditë në kalendar dhe ndeshjet do të shtrihen në kohë në harkun e një muaji, nga 11 qershori deri më datën 11 korrik. Mbi të gjitha do të jetë një evropian krejt ndryshe, pasi për herë të parë në histori do të dalë jashtë kufijve me të cilët ishim mësuar. Duke lënë mënjanë organizimet e përbashkëta ndërmjet Belgjikës dhe Holandës, Austrisë dhe Zvicrës si dhe Polonisë me Ukrainën, respektivisht në vitet 2000, 2008 e 2012, ky aktivitet është zhvilluar thjesht në një vend të vetëm, që është kujdesur në mënyrë të kuptueshme edhe për mbarëvajtjen e këtij kompeticioni.
Këtë herë gjërat janë ndryshe dhe gjithcka lidhet me një dëshirë të vjetër të ish-presidentit të UEFA-s Michel Platini, për ta organizuar ngjarjen më të madhe futbollistike të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh në shumë vende njëherësh. Nga një projekt i mundshëm në letër gjërat këtë radhë u bënë shpejt realitet. Prështypje bën vetëm koha, për shkak të pandemisë së koronavirusit, pasi në rrethana të tjera një organizim i tillë nuk do të përbënte as problemin më të vogël. Qeveria Evropiane ka bashkërenduar punët me gjithë Federatat e vendeve të përzgjedhura, për të synuar organizimin e një evropiani model. Gjithsej janë 11 vende që do të presin ndeshjet e këtij pan-evropiani, nga 13 që ishin zgjedhur fillimisht, por Belgjika u tërhoq, për shkak të vonesave në ndërtimin e impiantit të Brukselit EURO Stadium, në Grimbergen, ndërsa Republika e Irlandës hoqi dorë, pasi nuk garantonte zhvillimin e takimeve në Aviva Stadium të Dublinit me praninë e spektatorëve, për shkak të frikës së përhapjes së virusit COVID-19, ndërkaq Stadiumi i Bilbaos San Mames në Spanjë u zëvendësua po brenda kufijve të vendit iberik me Stadiumin La Cartuja të Seviljes.
Vendet e përzgjedhura pra janë Londra, Roma, Mynihu, Budapesti, Bukureshti, Kopenhageni, Sevilja, Amsterdami, Gllazgou si dhe qytete si Baku dhe Shën Petërsburgu. 9 nga 11 vendet që organizojnë këtë aktivitet përfaqësohen me skuadrat e tyre kombëtare, kështuqë në fazën finale të këtij kompeticioni mungojnë vetëm vende si Azerbajxhani dhe Rumania. Italia, Gjermania, Danimarka, Holanda, Anglia dhe Spanja do të kenë privilegjin për t’i zhvilluar që të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në shtëpi, ndërkohë sfidat e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë do të vijojnë nëpër qytete të ndryshme, ndërsa takimet e mbetur në “final four”, pra nga faza gjysmëfinale e më tej do të mbahen në Londër në Wembley.
Vetëm dy stadiume kanë patur mundësinë për të pritur ndeshje të këtij kompeticioni: Johan Cruyff Arena në Amsterdam në vitin 2000 si dhe Stadio Olimpico i Romës, ku janë luajtur takime në vitet 1968 e 1980. Në këtë llogari nuk mund të futet stadiumi mitik londinez, sepse sic dihet wembley është bërë nga e para dhe përvec emrit nuk ka aspak lidhje me impiantin që priti finalen e madhe të vitit 1996. Kampionati mbetet i njëjtë dhe nuk ka ndryshuar si strukturë, pasi në fazën finale ashtu si edhe në evropianin e fundit do të marrin pjesë plot 24 skuadra, të cilat janë ndarë në 6 grupe me nga 4 ekipe. Nga faza hapëse do të eliminohen vetëm dy të tretat më të dobëta, ose e thënë ndryshe përvec dy skuadrave të para për cdo grup do të fitojnë të drejtën për të vazhduar më tej gjithashtu edhe katër ekipet kombëtare që renditen më lart në klasifikimin e përgjithshëm të përfaqësueseve që do të pozicionohen në vendin e tretë, në fund të fazëss ë grupeve. Janë plot 19 vende që kanë qenë gjithashtu të pranishëm edhe në evropianin e fundit, ku Portugalia ia doli mbanë për t’u kurorëzuar me titullin, pasi mposhti brenda në Saint-Denis Francën organizatore, falë një goli të realizuar nga Eder në kohën shtesë. Përfaqësuesja luzitane që kaloi fazën e grupeve si e tretë, falë tre barazimeve, në Stade de France në sfidën finale humbi shpejt yllin e skuadrës Cristiano Ronaldon, megjithatë Portugalia në fund triumfoi, duke fituar thjesht një ndeshje të vetme gjatë gjithë evropianit brenda kohës së rregullt, atë me “dragonjtë” e Uellsit në fazën gjysmëfinale.
Në këtë evropian për herë të parë ndeshjet do të monitorohen nga Sistemi VAR, sidoqoftë kapaciteti i stadiumeve do të jetë në varësi të protokolleve dhe masave shtrënguese anti–covid që janë aprovuar nga cdo shtet apo qoftë edhe situata aktuale e vetë vendeve organizatore, në këtë aspekt, gjithsesi bëhet fjalë për një luhatje më së shumti në nivelet nga 20 – 50%, pasi në Budapest Puskas Arena pritet të mbajë mbi shpatulla peshën e plotë të 67.215 të pranishmëve. Do të luhen 51 ndeshje gjithsej, pasi është hequr sic dihet nga programi takimi që luhej dikur, për vendin e tretë dhe të katërt. Franca konsiderohet si skuadra favorite, ndërsa vendet debutuese janë Finlanda dhe Maqedonia e Veriut, e cdo federatë merr plot 9,25 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen, ndërsa federata e skuadrës përfaqësuese që do të triumfojë në Wembley më datën 11 korrik do të përfitojë 34 milionë euro./ss