Abissnet Superiore ka kompletuar gjysmën e kampionatit teksa në emisionin Analizë Superiore të drejtuar nga Sokol Xhihani dhe me prezencën e videoanalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi ka dalë në pah edhe skuadra që furnizon më shumë sulmuesit në zonë.
Kështu, Tirana është ekipi që kërkon më shumë pasime filtruese, ose thënë ndryshe asiste apo vertikalizime. Bardheblutë e trajnerit Orges Shehi në një 90-minutësh kanë një mesatare të pasimeve filtruese prej 8.28, ndërsa duket se lojtarë si Totre, Limaj apo edhe Xhixha e kanë kryer siç duhet punën e tyre në fushë. Sakaq, pas Tiranës në këtë aspekt vjen Teuta, ndërsa në podium bën pjesë edhe Kukësi.
Ndërkaq, sa i takon saktësisë së këtyre pasimeve filtruese për 90 minuta, sërish është Tirana që bën më mirë. Kryeqytetasit kanë një saktësi prej 35.4%, ndërsa pas tyre vjen Skënderbeu e më pas Vllaznia. Ndërkohë, ekipi që bën më keq në këtë rast është Partizani.
Një tjetër statistikë e marrë në analizë është edhe ajo e pasimeve të kryera për 90 minuta, teksa në këtë pjesë është Kukësi skuadra dominuese. Verilindorët me trajnerin Diego Longo njihen për lojën e tyre me shumë pasime deri në sulm, ndërsa për 90 minuta ia dalin të kryejnë 457.06 pasime. Pas Kukësit në këtë renditje vjen Dinamo dhe më pas Laçi, ndërsa sa i takon përqindjes së saktësisë në këto pasime janë sërish verilindorët që bëjnë diferencën. Ndërkaq, pas tyre vjen Laçi me Teutën.
Nga ana tjetër, sa i takon mesatares së topave të humbur deri në këtë fazë është Vllaznia e cila çalon dhe që kryeson renditjen me 1955 topa të humbur, ndërsa pas shkodranëve renditet Partizani. Nga ana tjetër, sa i takon topave të humbur për 90 minuta sërish është Vllaznia e cila bën më keq, ndërsa Partizani e Laçi vijnë pas tyre./tch