Për vetëm dy ditë 256 automjete kanë ndërruar targat ilegale serbe në targa të Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se procesi i regjistrimit të automjeteve serbe në Kosovë po zhvillohet me sukses, pasi sipas tij, 256 automjete kanë ndërruar targat ilegale serbe në targa të Republikës së Kosovës vetëm gjatë dy ditëve të fundit.
Nga e mërkura, është hapur një afat 30-ditor i ri për regjistrimin e veturave me targa ilegale të Serbisë në targa të Republikës së Kosovës (RKS).
“Me vendim të Qeverisë, nga dje është hapur afati 30 ditor për regjistrimin e veturave me targa ilegale të Serbisë në targa të Republikës së Kosovës, RKS. Që nga dje ka pasur interesim të madh të regjistrimit të veturave, me ç’rast 256 automjete kanë kaluar nga targat ilegale në targa RKS dje dhe sot”, ka shkruari ai në Facebook.
Këtë të enjte, ministri Sveçla bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe drejtorin e Agjencionit të Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, kanë zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për të koordinuar veprimet që do të ndihmojnë qytetarët në këtë proces.
Në kuadër të këtij takimi, është nënshkruar një memorandum mes Agjencionit të Regjistrimit Civil dhe Komunës së Leposaviqit.
Sipas këtij memorandumi, një hapësirë e Komunës së Leposaviqit do të jetë në dispozicion të zyrtarëve të Agjencionit të Regjistrimit Civil për të lehtësuar procedurat e regjistrimit të automjeteve dhe pajisjes me dokumentet e nevojshme.
“Përveç që do të ngrisim kapacitetet në Komunën e Leposaviqit, për të parë nevojat e Qendrave të Regjistrimit vizituam stafin në edhe në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut”, ka shkruar tutje ministri Sveçla.
Ministri Sveçla ka shprehur bindjen se ky proces do të vijojë me sukses dhe ka ftuar të gjithë qytetarët, veçanërisht ata të komunitetit serb, që të regjistrojnë veturat e tyre në Kosovë në ditët në vijim deri me datën 1 dhjetor.