Takimi i sotëm për Asociacionin në Ambasadën e Amerikës





Sot do të mbahet një takim ku do të ketë diskutim për Asociacionin, me kërkesë të Ambasadës amerikane, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të shtetit e opozitës.

Të zgjedhurit e partive opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Atyre do iu bashkëngjiten edhe përfaqësues nga Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi. Në takim marrin pjesë edhe nga shoqëria civile. Ndërsa, kryeministri Kurti nuk është ftuar.

Ftesa për takim e Ambasadës amerikane, takim ky i iniciuar nga ambasadori Jeff Hovenier, u bë publike një javë më parë. Nga Ambasada bënë të ditur se po thirrin një takim me eksponentë nga sfera politike në Kosovë, liderë e përfaqësues nga shoqëria cilvile që të diskutohet për një “çështje me rëndësi”, pra themelimin e Asociacionit.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, thuhet në përgjigje të ambasadës për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse liderët e tyre nuk do të jenë prezentë, tri partitë opozitare kanë përzgjedhur nga një përfaqësues që do ta dërgojnë në këtë takim, i cili do të mbahet në selinë e Ambasadës amerikane në Kosovë.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Kurtit, Osmanit, e Konjufcës.

Të pranishëm nesër janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë tjerë. Ndër ta, pjesëmarrës do të jenë përfaqësues nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kujtojmë se Fondacioni “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Instituti Evropian për Paqe” kanë publikuar dje draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë. Veç se në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.

Një ditë para këtij takimi, përmes një teksti autorial, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kanë bërë thirrje përsëri Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.