Të rinjtë shqiptarë dembelë, INSTAT: Vetëm 4% e 15-29 vjeçarëve janë edhe në punë edhe në shkollë

Të rinjtë shqiptarë mbeten pasivë sa i përket angazhimit të tyre edhe në punë dhe në shkollë. Rritet mosha e të rinjve që  marrin përsipër angazhime. Në shifrat e fundit të publikuara nga INSTAT, rezulton se hendeku që po lënë të rinjtë në tregun e punës po zëvendësohet me pensionistë.

Një përqindje e madhe e të rinjve në të gjithë botën, por sidomos në Europë edhe punojnë edhe studiojnë.

Por Shqipëria shquhet për përqindjen e lartë të të rinjve në moshën 15-29 vjeç që nuk janë as punë dhe as në shkollë, ndaj kjo është një arsye se pse e ka mjaft të ulët peshën e të rinjve që angazhohen edhe me studime edhe në punë. 

Të dhënat e INSTAT që i referohen Anketës së Forcës së punës tregojnë se, vetëm rreth 4% e të rinjve në grup moshën 15-29 vjeç edhe punojnë edhe mësojnë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 5% e grup-moshës 15-19 vjeç frekuenton edhe shkollën edhe punën, ku shumica janë gjimnazistë dhe studentë.

Ndërsa në grup-moshën 20-24 vjeç, punojnë vetëm 4% e tyre janë edhe në pune edhe në shkollë dhe kryesisht janë studentë.

Por në moshën më produktive për mësim dhe punë, gati më shumë se 30% e të rinjve 20-24 vjeç nuk janë as në punë e as në shkollë.

Në grup-moshën 24-29 vjeç, pjesa dërrmuese janë vetëm në punë, rreth 76%, dhe vetëm 2% janë vetëm në shkollë.

Paradoksalisht rritja më e madhe e punësimit shihet të ketë ndodhur në mesin e pensionistëve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se të punësuarit mbi 64 vjeç u rritën me 15.5% në raport me një vit më parë.

Në të kundërt punësimi në moshat e reja ka pësuar rënie përkundër nevojave të tregut të punës që paraqesin mungesa të thella në disa sektorë.