Erik ten Hag ka nisur nga puna tek Manchester United teksa aktualisht është duke stërvitur skuadrën në fazën përgatitore. Një fitore me rezultatin 4-0, por edhe me një dominim në lojë ndaj Liverpool, ka ndezur entuziazmin e tifozëve të “Djajve të Kuq” të cilët shpresojnë në rikthimin e skuadrës në identitet ku sërish të mund të luftojnë për titullin kampion, i cili mungon prej kohës së Alex Ferguson. Së fundmi, Ten Hag ka rrëfyer se para se të merrte punën tek anglezët, ka komunikuar me legjendën e trajningut, por thekson se nuk mund ta bëjë publike atë çka u bisedua.
“Kam biseduar me Ferguson, por ajo çka folëm do të mbetet private. Është fantastike të flasësh me Ferguson për jetë, por edhe më shumë për futbollin. Kam një besim të fortë se mund të bëjmë mirë, është sfidë e madhe por gjithnjë kam marrë maksimumin nga skuadrat e mia. E di se bëhet fjalë për një projekt të vështirë dhe nuk është një punë e lehtë, por për sa kohë jam këtu kam bindjen se mund t’ia dal. Objektivi im është të fitoj çdo ndeshje dhe ky duhet të jetë mentaliteti i United. Dua të luaj një futboll sulmues kur të jetë e mundur, por edhe kur nuk luajmë mirë dua sërish të fitojmë. Unë kam një strategji, por është një proces që kërkon kohën e tij”.
Sakaq, Ten Hag është rikthyer të flasë për Ronaldon, për të cilin shprehet se nuk komunikon prej momentit kur ai kërkoi hapur lagimin nga Manchester United.
“Me Ronaldon nuk kam folur ende, pra është e njëjta situatë ashtu si para një jave në Bangkok. Ai vazhdon stërvitet dhe mendoj se do të jetë në formën e duhur fizike. Të them të drejtën, forma e tij është shqetësimi i fundit për mua pasi e njohim sa profesionist është”, u shpreh 52-vjeçari.