Tensionet në veri, Vuçiq takohet me ambasadorët e QUINT-it!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të martën e 30 majit.

Në takim po merr pjesë ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, shkruan Tanjug.

Ky takim ishte paralajmëruar të hënën, ku thuhej se temë e diskutimit do të jetë përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës.

Ndërkaq, Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Antonio Tajani.

Ndërkaq, Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.

Ristuccia po ashtu kërkoi nga palët që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë”.

Përmes një njoftimi për media, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë ndërhyrjes në Zveçan të hënën, 30 ushtarë të këtij misioni u lënduan: 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian.

Më 29 maj, trupat e KFOR-it ndërhyn në Zveçan, pasi paralajmëruan protestuesit serbë që të shpërndaheshin, por ata nuk u bindën.

Serbët lokalë protestuan kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Ata po ashtu kanë kërkuar që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.