Ortegu në Brezovicë, ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimin

Katër persona janë shpëtuar nga ekipi i kërkim-shpëtimit pas ortekut që ka rrëshqitur ditën e sotme në Brezovicë.

Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë deklaruar për Telegrafin se po vazhdon kërkimi edhe pse deri më tani nuk ka shenja se edhe persona të tjerë mund të jenë në zonën ku ka rrëshqitur orteku.

“Ne kemi qëllu në Brezovicë. Për momentin nuk ka ndonjë shenjë që ka persona të tjerë që po mungojnë, por ne po vazhdojmë kërkimin për çdo rast, jemi këtu. Kanë qenë katër persona që fatmirësisht kanë shpëtuar. Jemi duke mbledhur informata sepse ka fjalë se mund të jetë edhe dikush brenda, mirëpo në bazë të kërkimeve të para nuk është askush. Orteku ka rënë jashtë pistës së skijimit”, thanë nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

Ndryshe, ditë më parë ekipet e kërkim-shpëtimit kishin paralajmëruar se mund të ketë lëshim të ortekëve për shkak të reshjeve të borës.

“Pas reshjeve të fundit të borës të përcjellura me erëra të forta, disa pjesë në zonat malore të rajonit tonë  kanë rrezik potencial për lëshimin e orteqeve. Sidomos faqet e drejtimeve gjeografike: perëndim, veri perëndim dhe disa drejtime të tjera që kanë qenë nën ndikimin e faktorëve të lartpërmendur”, thuhej në komunikatë.

Po ashtu në komunikatë kanë dhënë edhe disa këshilla për personat që skijojnë.

Rreziku kryesor është në zonat mbi pyjore, por ekziston edhe rreziku në zonat pyjore dhe ndërpyjore.

-Mos skijoni jashtë shtigjeve të skijimit!

-Bjeshkatarë evitoni aktivitetet e juaja në pjerrësitë 30~45°.

-Zhvilloni aktivitetet e juaja në vende të sigurta dhe jo të ekspozuara.

-Përdorimi i pajisjeve të sigurisë për ortek është i domosdoshëm!

Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat:

112

+38349840228.