Vazhdon rritja rekord e inflacionit në Shqipëri, gjatë janarit çmimet u ngritën me 3.7 për qind

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Shqipëri është rritur me 3.7 për qind në muajin janar, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke regjistruar nivelin me të lartë të inflacioni në dekadën e fundit.

Sipas INSTAT, në krahasim me muajin dhjetor të vitit të kaluar çmimet u rriten me 1.3 për qind. Inflacioni prej dy muajsh është më i lartë se objektivi i Bankës së Shqipërisë prej rreth 3 për qind.

Rritja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në sektorin e transportit me një rritje prej 9 për qind, i ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 6.7 për qind, dhe argëtimi dhe kultura me 3.5 për qind.

Rritja në të gjithë sektorët e ekonomisë duket se është ndikuar nga rritja e karburanteve dhe energjisë elektrike në tregjet e jashtme. Ndërsa, rritja vjetore ka përfshirë edhe sektorë të tjerë si komunikimi me 3.3 për qind, hoteleria, kafenetë dhe restorantet me 3.0 për qind dhe pije alkoolike dhe duhani me 2.1 për qind.

Guvernatori Gent Sejko pati theksuar se inflacioni në Shqipëri parashikohet të kthehet brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke filluar nga viti 2023.

Sejko gjithashtu ka thënë se rritja e inflacionit ka rezultuar më e fortë se parashikimet, por megjithatë sipas tij Banka e Shqipërisë i qëndron projeksionit bazë se këto goditje do të zbuten deri në mesin e këtij viti.

Në anën tjetër, Konfindustria ka bërë të ditur se kriza e çmimeve dhe cilësisë së karburanteve i është bashkëngjitur krizës së energjisë të vitit 2021, me pasoja shkatërruese afatgjata për ekonominë kombëtare dhe qytetarët shqiptarë.

Ajo ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Parlamentar për hetimin e rolit të munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatorë, me tipare të qarta të “kapjes së shtetit” dhe pranisë së korrupsionit në nivelet më të larta. /Telegrafi/