Nesër mësimdhënësit do të votojnë se a janë pro apo kundër grevës

Mësimdhënësit e Kosovës nesër do të votojnë se a do ta pranojnë propozimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për ta pezulluar grevën deri në janar apo jo.

Në një shkresë të siguruar nga Klankosova.tv që u është dërguar mësimdhënësve të një shkolle në kryeqytet iu është bërë thirrje të jenë në shkollë në orarin e grevës, pasi do të organizohet votimi.

“Pra, luteni që nesër të jeni në shkollë në orarin e grevës (9:00 – 12:00) sepse do ta organizojmë votimin kush është PËR apo KUNDËR ‘pezullimit’ të grevës”, thuhet këtë shkresë.

Votimet e mësimdhënësve do të dërgohen në SBAShK ku më pas – varësisht rezultatit të votimeve – pritet të merret vendimi nëse do të vazhdojë ose jo greva.

Edhe anëtari i Këshillit Grevist të SBAShK-ut, Reshit Kushaj, ka treguar se kryetarët e shoqatave sindikale nëpër shkolla nesër do të bashkëbisedojnë me mësimdhënësit – por, nuk ka përmendur votimin e tyre.

“Në të njëjtën kohë ne ia kemi dërguar shkresën edhe anëtarësisë edhe medieve. Përmbajtja e shkresës i drejtohet anëtarësisë sindikale, ku ne me kërkesën e anëtarësisë jemi futur në grevë dhe me kërkesën e saj mund ta ndërprejmë apo pezullojmë grevën”.

“Andaj, ata e kanë mundësinë që sot dhe nesër t’i takojnë të gjithë mësimdhënësit, ku nesër kryetarët e shoqatave sindikale nëpër shkolla dhe kryetarët e këshillave grevistë do të bashkëbisedojnë me mësimdhënësit ku do të na sjellin kërkesat e tyre sindikale”, ka deklaruar ai.