Reperi Coolio ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare. Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Artis Leon Ivey Jr, ndërroi jetë në shtëpinë e një miku, tha menaxheri i tij, Jarez Posey, për mediat e huaja. Ai u gjet i pavetëdijshëm në dyshemenë e banjës, dhe dyshohet se shkaku ka qenë arresti kardiak.
Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Coolio është më i njohur për këngën e tij të vitit 1995, Gangsta’s Paradise, për të cilën fitoi një Grammy për performancën më të mirë solo rap. Hiti erdhi nga kolona zanore e filmit të Michelle Pfeiffer “Dangerous Minds”.
Ai u nominua për pesë Grammy të tjera gjatë një karriere që filloi në fund të viteve 1980. Karriera e tij u ngrit me publikimin e albumit të tij debutues në vitin 1994, It Takes a Thief, në Tommy Boy Records. Pjesa hyrëse, Fantastic Voyage, do të arrinte numrin 3 në Billboard Hot 100.
Një vit më vonë, “Gangsta’s Paradise” do të bëhej një “single” numër 1. Në fillim të këtij viti, kënga arriti një miliard shikime në YouTube. “Dua t’i falënderoj të gjithë për të gjitha vitet e dashurisë dhe që kanë qenë aty për mua,” tha Coolio në një video që shënon momentin historik, raportoi Billboard.