Krasniqi e Abdixhiku refuzojnë ftesën, Kurti pret në takim vetëm Haradinajn





Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim liderët e partive opozitare në vend, raporton Gazeta Sinjali.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti dhe nuk do jenë pjesë e takimit të sotëm.

I vetmi që do marrë pjesë nga opozita është lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Krasniqi e ka quajtur ftesën e Kurtit si joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në takim.

Krasniqi ka deklaruar se s’do t’i shkojnë Kurtit në takim për çështje teknike, por vetëm kur të flitet për marrëveshjen finale me Serbinë.

Krasniqi ka thënë se për tema të tilla, vendi i diskutimit duhet të jetë salla e Kuvendit të Kosovës, e jo zyrat.

Ftesa e Kurtit për opozitarët erdhi menjëherë pas takimit të tij me emisarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.