Murati: Ripërcaktimi i kufijve ishte rast historik, e kemi lëshu për turpin tonë





Sipas kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, zgjidhja më e mirë për shtetin e Kosovës do të ishte ripërcaktimi i kufijve me Serbinë.

Ai ka thënë se Kosova në mënyrë të turpshme është humbur rasti të cilin e ka cilësuar si historik për ta zgjidhur çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi futë veten me këtë qasje në rrugë qorre. E kemi lëshu për turpin tonë rastin historik të zgjidhjes së problemit shqiptaro-serb, përmes ripërcaktimit të kufijve”, ka thënë Murati në RTV Dukagjini.

Murati, beson se ky opsion do të kthehet përsëri pasi që sipas tij do të dështoj formimi i Asociacionit me Shumicë të Komunave Serbe.

“Pse kam besim që kthehet ajo? Sepse këto do të dështojnë. Asociacioni do të dështojë në implementim. Domosdo do të kthehet sepse nuk ka zgjidhje tjetër funksionale në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka, që të përfundojmë me një marrëveshje që kushtetutën e ndryshon funksionalizohesh si shtet dhe e zgjidhë problemin. Atëherë ndesh le të njeh Serbia ndesh jo, atëherë nuk na nevojitet njohja e Serbisë”, mendon Murati.