Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencë për media ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.
Vuçiç tha se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.
Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”.
“Në fjalinë e dytë që më është komunikuar është thënë – duhet ta pranoni këtë plan”.
Më pas, shtoi presidenti serb, “tre herë të tjera është përmendur e njëjta gjë gjatë takimit”.
Ai shtoi se ka pranuar që t’i vazhdojë bisedimet në Bruksel, sepse “Serbia nuk duhet të mbetet e izoluar”.
“E kuptova që askush nuk po na dëgjon dhe ne do të duhet të përballemi. Nëse do të kisha thënë largohuni, ne nuk do të flasim për këtë. Por do të kishte pasoja. Do të ishte çështje ditë, apo javë, nëse do të anulonin regjimin pa viza që kemi me BE-në. Gjëja e dytë që do të na ndodhte nuk do të kishin më investime të huaja dhe shumë do të tërhiqeshin nga Serbia”, tha Vuçiç.
Presidenti serb deklaroi se “vetëm gjermanët në vendin tonë punësojnë 80 mijë dhe nëse përfshihen amerikanët, francezët dhe italianët, ky numër është edhe më i madh”.
“Kemi 8.2 miliardë euro nga Gjermania, nga të cilat paguajmë rroga dhe pensione, kjo për të thënë se çfarë do të thotë që Serbia të izolohet. Serbia duhet të marrë pjesë në dialog, duhet të vazhdojë rrugën e saj, jo sepse unë e admiroj hipokrizinë e tyre, por sepse duhet të rimëkëmbemi dhe të përparojmë ekonomikisht, nuk duhet të jemi të izoluar”.
Vuçiç: Plani për Kosovën nuk është më vetëm franko-gjerman
Vuçiç gjithashtu ka deklaruar se i ashtuquajturi plan franko-gjerman tashmë nuk është vetëm një plan i këtyre dy shteteve por një kornizë e re negociuese që ka mbështetjen e gjithë perëndimit.
Luftë e madhe për Asociacionin
Presidenti serb shtoi edhe se në ditët në vazhdim “po vjen një luftë e madhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.
“Ne nuk mund ta parandalojmë hyrjen e tyre në disa organizata ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës dhe as nuk mund ta pengojmë hyrjen e tyre në NATO”, thotë Vuçiç.
“Ajo që mund të bëjmë”, deklaroi Vuçiç “është të diskutojmë se si të rrisim nivelin e besimit mes nesh dhe shqiptarëve dhe si të ndërtojmë një pozicion për një paqe të ardhshme”.
Por, “së pari duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”, theksoi Vuçiç.
“Asociacioni nuk është dhe nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare, ajo ka 22 parime të nënshkruara në 2015. Ka qëllime, një strukturë organizative, ne e dimë se si duhet të duket”.
“Dua të them vetëm se tani është një luftë e madhe për Asociacionin. Është e qartë se ata do të përpiqen të thonë se 21 nga 22 këto parime nuk janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe e kam parë vendosmërinë e amerikanëve për këtë çështje, besoj se në muajt e ardhshëm do të zgjidhet”, shtoi Vuçiç.
“Në Evropë ka shumë nervozizëm aktualisht”
Për shkak se rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar “në Evropë ka shumë nervozizëm”, pohoi Vuçiç.
“Evropa është në një luftë de facto, sido që të thonë, nuk ka asnjë tolerancë për asnjë lloj kërcimi në kuptimin politik, dhe nga ana tjetër ata duan në oborrin e tyre – dhe Ballkani Perëndimor e Serbia janë oborri i tyre – që të shohin gjithçka ashtu siç duan”, thotë Vuçiç.
Ai shtoi se lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka për Serbinë, pasi “ne jemi në radarin e të gjithëve, sepse nuk kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë”.