Escobar: S’ka asnjë dilemë, me Kosovën do arrijmë atë që duam të arrijmë





Në Kosovë kanë shqetësimet e tyre, por s’ka dyshim se do të arrijmë atë që duam të arrijmë ka thënë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për televizionin kroat HRT.

“Ata kanë shqetësimet e tyre, mendoj se kemi ende punë për të bërë atje”, deklaroi Escobar, por shtoi se “besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”.

“Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, është një partner i mirë dhe nuk shoh asnjë dilemë, mendoj se do të arrijmë atë që duam të arrijmë”.

Përkundër se procesi akoma nuk është drejt fundit “shoh disa reagime pozitive nga të dy kryeqytetet”, nënvizoi Escobar.

“Realiteti është se në krizën aktuale nuk është ide e mirë që Evropa të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj. Ajo që ne po bëjmë është të përdorim këtë propozimin franko-gjerman si një platformë për të gjetur një zgjidhje që do të funksiononte për të dy vendet”.

“Dhe këto janë zgjidhje që hapin rrugën euroatlantike, mbrojnë komunitetet pakicë dhe hapin realisht mundësi për lidhje ekonomike. Dhe kjo është pse unë mendoj se ka arsye për optimizëm”, pohoi Escobar.

Në një tjetër intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar deklaroi gjithashtu se tashmë Kosova është pajtuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se për këtë s’është e thënë se duhet të pajtohet edhe kryeministri Albin Kurti.

“Kurti s’ka nevojë të pajtohet, është pajtuar Kosova tashmë”, tha ai ditën kur bashkë me Miroslav Lajçak-un e Bashkimit Evropian dhe Jens Plotner, Emmanuel Bonne e Francesco Talo nga Gjermania, Franca dhe Italia u takuan me Kurtin në Prishtinë dhe Aleksandër Vuçiç-in në Beograd.

“Një person dhe një palë s’mund të tërhiqet nga obligimi”, deklaroi amerikani si rikujtim se Kosova për themelimin e Asociacionit ka marrë obligimin qysh në vitin 2013 kur nënshkroi marrëveshje në Bruksel.

“Nuk është një obligim për të cilin duhet të arrihet pajtim, është një obligim tashmë ekzistues. Prandaj, nuk na duhet që ai (Kurti) të pajtohet, Kosova veçse është pajtuar, si qeveri, si shtet. Në këtë pikë jemi, nuk është pyetje se a pajtohet ai apo jo, pyetja është se si ta implementojmë”.