Andi Lilës i bëjnë Kamerën e Fshehtë, ish-futbollisti për pak bëhet aktor për 25 mijë euro





Ish-futbollisti i kombëtares, Andi Lila, ka qenë “preja” e “Piranjave” në kamerën e fshehtë të kësaj puntate. Me një karrierë të gjatë në futboll dhe një personazh mjaft televiziv, për pak Lila do të kishte nisur edhe karrierën e aktorit.

Megjithatë, edhe pse mund të ketë krijuar iluzionin se shumë shpejt do të bëhej një yll Hollywood-i, e gjitha ishte një skemë perfektë mashtrimi, brenda së cilës Lila ra pa e menduar dy herë, madje një shtysë ia dha edhe miku i tij i ngushtë, që e konsideron si vëlla.

Një grup napoletanësh të mbetur pa një dyshkë në xhep në Tiranë e panë Andi Lilën si një pre e majme për të nxjerrë disa fitime, sidomos nga një ish-futbollist me karrierë të gjatë.

Kështu, Andi Lilës i prezantohet ideja e një filmi që do të thellojë edhe më shumë shikimin në marrëdhëniet Shqipëri-Itali. 36-vjeçari shkon para “kineastëve”, ku i tregohet se filmi do të kthejë pëmbysë stereotipin e zakonshëm ku “italiani është i mirë dhe shqiptari i keq”. Ky film, do të flasë për një shqiptar që mashtrohet nga një italian, ashtu si i ndodh edhe Andi Lilës.

Ish-futbollisti ngrihet madje të bëjë një audicion të vogël, teksa nuk mund të lërë pa përmendur kulmin e karrierës së tij tek Parma, kur i shënoi gol Interit dhe Sassuolos.

Italianët nuk ngurrojnë t’i japin kontratën Lilës, i cili e thotë se miku që ka në krah është “avokati” i tij, teksa e cilëson si vëlla. Edhe pse kërkon t’i hedhë një sy kontratës para se ta firmojë, “peshku” bie në gojën e mashtruesve sapo fillon të flitet për shifra.

13 mijë euro sapo firmoset kontrata dhe 12 mijë të tjera pasi xhirimet të kenë përfunduar. Epo, një ofertë që nuk mund të refuzohet. Lila menjëherë shpreh pëlqimin e tij për këtë projekt kinematografik. “Një yll i ri po vjen në kinematografinë italiane” dhe ai kërkon që shifra të rritet.

Jo vetëm kaq, një yll si Andi Lila nuk mund të pranojë një rol negativ. Dhe një detaj i fundit: nëse filmi bëhet super i shikuar, thotë Lila, ao do të ketë shifra të tjera? Patjetër që po.

Pas shumë rezistence, Andi Lila më në fund pranon të firmosë kontratën me kineastët italianë, pa e ditur se në çfarë telashesh e ka futur veten. Pa e ditur çfarë ka firmosur, Lila i takon të nesërmen mashtruesit, të cilët kërkojnë t’i përmbahen kontratëssë tyre, asaj që e sheh ish-futbollistin me 25 mijë euro të zhvatura.

“Kineastët” duan paratë e tyre dhe Andi duket konfuz. Sapo dëgjon që duhet të paguajë 12 mijë euro, Lila duket edhe më i ngatërruar dhe vë në dukje se ishte ai që duhet t’i merrte paratë.

Një situatë e pabesueshme për ish-yllin e kombëtares, i cili kërcënohet madje se nëse nuk paguan, duhet të shkojë në gjykatë. Por nuk ka lindur akoma ai njeri që t’i marrë lekët në xhep Andi Lilës.

Megjithatë italianët nuk dorëzohehn dhe testojnë durimin e heroit të Beogradit, aq sa Lila ngrihet e plas dorën në tavolinë, për t’u treguar atyre vendin. Jo vetëm dorën, Lila i bie tavolinës edhe me këmbë, duke treguar qartë frustrimin e tij.

Në këtë moment hyjnë në skenë “Piranjat”, për të zbuluar se gjithçka ishte një rreng dhe Lila fillon të qetësohet. Edhe pse aktor nuk u bë dot, Andi Lila shënoi një precedent të ri tek “Piranjat”: është i pari që ia ka dalë të thyejë gjëra në një kamera të fshehtë.
Video Kamera e Fsheht