Sulmet kibernetike ndaj mediave dhe institucioneve në Kosovë, deklarohet Prokuroria





Kohëve të fundit në Kosovë ka pasur sulme të shumta kibernetike, ku cak kanë qenë kryesisht mediat dhe institucionet.

Lidhur me këtë çështje është aktivizuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Se deri ku kanë shkuar hetimet, apo nëse është gjetur prejardhja e atyre sulmeve, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk është bërë e ditur.
Zyrtarja për Informim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për Indeksonline thotë se janë në fazën e zhvillimit të këtyre veprimeve, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Për çështjen të cilën keni shprehur interesim, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të këtyre rasteve. Jemi në fazë të zhvillimit të këtyre veprimeve, andaj nuk mund të japim detaje të tjera, deri në një fazë tjetër”, thotë Ulaj.

Pas sulmeve kibernetike mbi sistemet qeveritare Qeveria e Kosovës kishte dalë me njoftim, ku kanë theksuar se të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore nuk janë cenuar.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës”./Indeksonline/