Pyetja u ngrit pasi drejtori ekzekutiv miliarder i Tesla Inc, Elon Musk, e ndërroi mendjen më herët këtë muaj për vendimin e tij që të mos e blejë platformën Twitter Inc.
Musk e përfundoi blerjen e Twitter-it për 44 miliardë dollarë të enjten, por nuk ofroi shumë qartësi për mënyrën se si do t’i arrijë ambiciet, të cilat i ka vënë për rrjetin social.
Koncepti i “aplikacionit të gjithçkaje” (Everything app), që shpesh quhet “super aplikacion”, është shumë i popullarizuar në Azi dhe kompanitë e teknologjisë kudo në botë kanë tentuar ta kopjojnë këtë koncept.
Çfarë është një super aplikacion?
Super aplikacioni, ose ajo që Musk po e quan “aplikacion i gjithçkaje”, është përshkruar si ekuivalentja e thikës së ushtrisë zvicerane për aplikacionet telefonike, pasi që ofron një larmi shërbimesh për përdoruesit, si komunikimin me mesazhe, rrjetëzimin social, pagesat ndërmjet përdoruesve dhe blerjet online.
Këto aplikacione përdoren shumë në Azi për shkak se telefoni është forma kryesore e qasjes në internet për shumë njerëz në atë regjion, siç shkruan Scott Galloway, një profesor i marketingut në Universitetin e Nju Jorkut dhe bashkëthelemelues i podcast-it teknologjik “Pivot” vitin e kaluar.
Cilët janë shembujt e super aplikacioneve?
Super aplikacioni kinez, WeChat, ka më shumë se një miliard përdorues në muaj, sipas një vlerësimi, dhe është pjesë e pandashme e jetës së përditshme në Kinë. Përdoruesit mund të rezervojnë veturë apo taksi, mund t’u dërgojnë para shokëve apo familjarëve dhe mund të bëjnë pagesa në dyqane. Në vitin 2018, disa qytete kineze filluan ta testojnë aplikacionin WeChat për një sistem identifikimi elektronik që do të lidhej me llogaritë e përdoruesve, sipas South China Morning Post.
Grab, një ndër super aplikacionet më të mëdha në Azinë juglindore, ofron shpërndarjen e ushqimit, rezervimin e taksive, dërgimin e pakove dhe shërbime të tjera financiare dhe për investim.
Pse Musk dëshiron ta krijojë një super aplikacion?
Gjatë një sesioni të pyetjeve dhe përgjigjeve me punëtorët e Twitter-it në qershor, Musk theksoi se nuk ka asnjë aplikacion ekuivalent me WeChat jashtë Azisë.
“Ti, në thelb, jeton me WeChat në Kinë”, tha ai, duke shtuar se e sheh mundësinë për ta krijuar një aplikacion të ngjashëm.
Shtimi i më shumë shërbimeve dhe veglave në Twitter mund t’i ndihmojë atij t’i arrijë planet ambicioze për rritjen e kompanisë. Gjatë takimit me punëtoret, Musk tha se ai dëshiron që Twitter-i të rritet nga 237 milionë përdoruesit që ka në “të paktën një miliard”.
Musk dhe pjesëtarët e rrethit të tij të ngushtë dërguan mesazhe disa herë lidhur me idenë e shtimit të mundësisë për pagesa digjitale në Twitter, sipas mesazheve që u publikuan në fazën e hershme të procesit gjyqësor midis Muskut dhe kompanisë së rrjeteve sociale.
Në ato mesazhe, Musk e diskutonte mundësinë e vendosjes së Twitter-it në teknologjinë blockchain (blloqe zinxhir), por më vonë u duk se ai vendosi që kjo gjë nuk do të funksiononte.
Megjithatë, kompania që ofron shkëmbimin e kriptovalutave, Binance, ka investuar 500 milionë dollarë për blerjen e rrjetit social nga Musku. Ata tani po e krijojnë një ekip që ka për detyrë të gjejë se si teknologjia blockchain dhe kriptot mund t’i shërbejnë Twitter-it, tha zëdhënësi i kompanisë të premten.
A e kanë provuar këtë kompanitë e tjera të teknologjisë në SHBA?
Po, kompania pronare e Snapchat-it, Snap Inc, kishte shtuar shërbimin e pagesave digjitale ndërmjet përdoruesve, të njohur si Snapcash, por i dha fund këtij shërbimi më 2018. Ata, gjithashtu, kishin nisur iniciativa për krijimin e video-lojërave telefonike dhe së fundi i dhanë fund edhe këtij tentimi si pjesë e planit për uljen e kostove.
Ndërkohë, edhe Facebook-u dhe Instagram-i, nën pronësinë e Meta Platform Inc, kanë tentuar të zgjerojnë shërbimet e tyre përtej rrjetëzimit social dhe dërgimit të mesazheve duke ofruar edhe shërbime të tregtisë elektronike.