Në Qendrat e Vaksinimit në Kosovë është duke vazhduar imunizimi i qytetarëve me vaksinën antiCOVID-19, edhe pse interesimi për vaksinim kohëve të fundit ka rënë, ndërkaq edhe rastet e reja dhe numri i vdekjeve nga COVID-19 ka rënë dukshëm.
Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuarve sipas vendbanimit.
Në bazë të këtyre të dhënave, në Prishtinë numri i personave që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCOVID-19 është 234 mijë e 725.
Në listën prej dhjetë vendeve me më së shumti persona të vaksinuar pas Prishtinës që është e para, janë komunat: Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri e Suharekë.
Sipas të dhënave, numri i imunizimeve në këto komuna është: Prishtinë 234 mijë e 725, Prizren 130 mijë e 482, Ferizaj 104 mijë e 215, Gjakovë 95 mijë e 327, Pejë 89 mijë e 222, Gjilan 85 mijë e 632, Podujevë 73 mijë e 674, Mitrovicë 66 mijë e 443, Vushtrri 65 mijë e 732, Suharekë 55 mijë e 587.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më shumë, e po ashtu të respektojnë masat antiCOVID.
IKSHPK-ja ka paralajmëruar se situata me pandeminë si në shtetet e rajonit mund të përkeqësohet edhe në Kosovë, prandaj ka bërë thirrje të mbikqyret me përpikëri zbatimi i masave antiCOVID-19.
Ata tutje thonë se janë duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.
“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor. Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ata thonë se për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, ata bëjnë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim.
“Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet tutje.
Nga IKSHPK-ja kanë thënë se “Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës”.
“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshëmrisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/