Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë. Nga ky buxhet, për herë të parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës. Ai ka thënë se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkon standardi i NATO-s.
Kurti thotë se buxhetin e tillë do të bashkohen Prizreni e Tetova dhe do të ndihmohet edhe Lugina e Preshevës.
Ai ka thënë se me këto mjete do të niset ndërtimi i 50 çerdheve në gjithë vendin, 45 milionë euro do të ndahen për të mbështetur lehonat dhe shtesat për fëmijë, s’do të ketë pensione nën 100 euro e do të ndahen 50 milionë euro për borxhet nga shpronësimet, e 40 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin, 10 milionë euro për blerje të ambasadave e dy milionë euro për Preshevën e Bujanovcin.
Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se “këso buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”.
“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet mbi 100 milionë euro, apo 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor. Synimi është që brenda mandatit ta sjellim në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, aq sa kërkon standardi i NATO-s. Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i Agjencisë të Kosovës për Privatizim, na është mundësuar që ato mjete t’i riorientojmë në Ushtri e si rezultat do të rekrutojmë 840 ushtarë të rinj drejt përmbushjes së objektivave të transicionit”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.