Ditë e bardhë për shqiptarët: Rezoluta për Luginën e Preshevës kalon në Komitetin e Kongresit të SHBA!

Washington, D.C. – Nga Capitol Hill sot u dëgjua zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, jo më si thirrje e vetmuar, por si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA, u miratua (marked up) rezoluta H.R. 6411, e cila adreson të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Rezoluta është iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, dhe ka marrë përkrahje dypartiake nga Kryetari i Komitetit Brian Mast dhe Nënkryetari Gregory Meeks.

Me këtë votim, rezoluta ka kaluar fazën vendimtare në Komitet dhe pritet që shumë shpejt të procedohet për miratim në seancë plenare të Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Ky zhvillim konsiderohet moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi SHBA sinjalizon qartë se do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në këtë rajon.

Rezoluta është rezultat i një angazhimi mbi dydekadësh të lobit shqiptar në SHBA, që nga viti 2001, nën lidershipin e palëkundur të Joe DioGuardi dhe Shirley DioGuardi, përmes Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e deri te puna e pandalshme e bashkëkombësve tanë në Texas, të organizuar nga Albanians For America.

Ky hap i Kongresit amerikan vlerësohet si sinjal i qartë ndërkombëtar se padrejtësitë ndaj shqiptarëve nuk mund të vazhdojnë pafund dhe se çështja e Luginës së Preshevës tashmë është pjesë e agjendës politike amerikane.

Marrëdhënia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara mbetet e pazëvendësueshme, ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës përbëjnë një ogur të mirë për gjithë kombin shqiptar. Tani, theksohet se është koha që kjo liri të shtrihet edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës.