E diela magjike në “Anfield Road”,





“Anfield Road” do të jetë skena kryesore e javës së 11-të në Premier League, me duelin Liverpool-Manchester City. Jurgen Klopp përballë Pep Guardiola-s, dy rivalë të betuar që masin forcat në një ndeshje ku spektakli dhe emocionet janë të garantuara dhe ndeshja numër 190 në histori do të marrë jetë të dielën në orën 17:30.

Në atë, që zakonisht, apo këtë sezon pritej të ishte një përplasje potencialisht përcaktuese për titullin kampionë, ky takim është totalisht i veçantë, pasi sheh dy “pasuritë” e futbollit anglez shumë larg njëra-tjetrës.

Liverpool prezantohet në këtë përballje pas 3 ndeshje radhazi pa fitore, me dy barazime dhe një humbje ndaj Arsenal, ndërsa pozicionohet në mesin e tabelës me 10 pikë pas 8 ndeshjesh, fillimi më i dobët në dekadën e fundit.

Trajneri gjerman ka vuajtur mungesat e shumta në këtë sezon dhe ende nuk ka mundësin të luaj me skuadrën e plotë, pasi edhe ndaj City-t i duhet t’i bëjë llogaritë pa, Diaz, Arthur, Keita, Matip, e me shumë mundësi edhe pa Alexander-Arnold dhe Jones. Klubi dhe trajneri nuk kanë kërkuar asnjëherë të fshehin mungesat dhe dëmet që janë shkaktuar, me gjermanin që asnjëherë nuk ka dashur të justifikohet, por diferenca prej 14 pikësh me vendin e parë është pa diskutim e pajustifikueshme për një skuadër, që sezonin e nisi me pretendime të mëdha.

Me të njëjta pretendime e nisi edhe Manchester City i Pep Guariola-s, por deri më tani forma, ecuria dhe pikët i japin të drejtë spanjollit të besoj dhe të luftojë që në fund të edicionit të mbrojë titullin kampion.

“Citizens” janë e vetmja skuadër pa humbje në këtë sezon, ndërsa me Haaland në vijën e parë të sulmit dhe me një Phil Foden në super-formë, Guardiola disponon sulmin më të mirë me 33 gola, ose thënë ndryshe 13 rrjeta më shumë se Liverpool.

Një tjetër statistikë, të cilën Guardiola do të kërkojë ta përdor është fakti se, City nuk e njeh humbjen në 21 ndeshje radhazi në Premier League, nga 19 shkurti i këtij viti kundër Tottenham, ndërsa humbja e fundit në total është regjistruar në korrikun e këtij viti, pikërisht ndaj Liverpool në Supërkupën e Anglisë.

Erglind Haaland gjithashtu prezantohet me një mision “special”, pasi norvegjezi deri më tani nuk ka shënuar vetëm ndaj dy skuadrave, Bournemouth dhe Liverpool, ndërsa në krahun tjetër shpresa e Liverpool dhe Klopp është Mohamed Salah i cili në gjashtë ndeshjet e fundit kundër City-t ka marrë pjesë në gjashtë gola me 4 finalizime personale dhe 2 asist.

Dy skuadra të ndryshme në këtë fillim edicioni, por histori flet për Liverpool, që në 189 ndeshje ka triumfuar në 90 raste, kundrejt 48 fitoreve të Manchester City-t, ndërsa 51 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Por, nuk luhet vetëm në fushë, pasi kjo sfidë merr kuptim tjetër me duelin Klopp – Guardiola, dy trajnerë të cilët për momentin konsiderohen si “ajka” e trajningut.

Kjo do të jetë ndeshja numër 26 përballë njëri-tjetrit, me gjermanin i cili kryeson me 10 fitore, kundrejt 9 të spanjollit që nuk fiton nga 7 shkurti i vitit 2021, ndërsa 5 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Klopp dhe “The Red” do të kërkojnë kthesën në shtëpi përballë rivalit të betuar në histori, e sidomos në vitet e fundit, ndërsa “citizens” e Guardiola, do të provojnë të fundosin anijen e “kapitenit” Klopp dhe të ruajnë formën e mirë të këtij start sezoni.