Sot ka hyrë në fuqi Rregullorja e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Këtë e ka njoftuar drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, duke thënë se nga sot autoritetet kufitare të shteteve të BE-së fillojnë përgatitjet e nevojshme për t’ua siguruar lirshëm lëvizjen e kosovarëve nga 1 janari i 2024-ës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nga sot fillon zbatimi i Rregullores së BE-së 2023/850. Me fjalë të tjera nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen. Ndonëse praktikisht qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm drejt zonës Shengen nga 1 janari, nga sot autoritetet kufitare të BE-së fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari legjislacioni respektiv do të zbatohet në të gjitha pikë kalimet kufitare të zonës Shengen”, thuhet në njoftim.
Sipas infografikës së shpërndarë nga Instituti EPIK, Kosova është në pritje të hapit të fundit, 1 janarit të 2024-ës, për lëvizjen lirshëm në zonën Schengen.