Inter dhe Milan! Gjimshiti nuk e fsheh dëshirën e madhe: Do të ishte gënjeshtër nëse do të thosha se…





Berat Gjimshiti ka dhënë sot një intervistë të gjatë ku ka folur për Atalantën, por edhe për kthimin e tij në fushën e lojës pas një dëmtimi të gjatë. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është ndalur edhe te lidhja e klubit zikaltër me kombëtaren, duke filluar nga trajneri Edi Reja.
“Reja flet gjithmonë shumë për Atalantën, kur jam me ekipin kombëtar, dhe flet gjithmonë shumë mirë. Më pyet vazhdimisht si shkojnë gjërat, çfarë ndodh, si është grupi. Ai ka mbetur shumë i lidhur me ambientin këtu, ishte shumë i lumtur.

A e ndjej që jam shqiptari që ka mbërritur më shumë në Serinë A? Po, ndjehem krenar për këtë gjë. E kuptoj kur kthehem në atdhe, në Shqipëri të gjithë ndjekin futbollin italian, por një herë e një kohë Atalanta nuk ishte kaq e njohur. Tani shumë e kanë zgjedhur si skuadër të dytë të preferuar dhe më thonë që luan një futboll të bukur, një kënaqësi e madhe”, theksoi Gjimshiti për “L’Eco di Bergamo”.

Mbrojtësi është kthyer nga një dëmtim që e la për shumë kohë jashtë, në një moment që ishte në kulmin e formës dhe ku për të kishin filluar të qarkullonin zëra interesantë për transferimin te skuadrat e mëdha të Serisë A si Milani e Interi.
“Është demoralizuese të qëndrosh jashtë, por kam punuar shumë dhe tani jam gati. Dëmtimet nuk bëjnë mirë dhe kushdo do të dëshironte të kishte gjithmonë mundësinë që të zbriste në fushë. Mëkat për mënyrën e pafat se si u dëmtova me Milanin. Gjatë periudhës së ndalesës, familja ime më ka ndihmuar shumë, nuk kam probleme të përballem me këto gjera dhe tani do të mundohem të kthehem më i fortë se më parë.

Nëse kishte mundësi për largimin në verë? Do të përballeshim me këtë mendim nëse do të kishte mbërritur një ofertë të cilës nuk mund t’i thuash “jo”, por nuk ka ardhur. Unë jam i lumtur këtu, por do të ishte një gënjeshtër nëse do të thosha se nuk e mendoj se mund të ndodhë diçka në të ardhmen”, tha Gjimshiti.