Kryqëzata për të drejtat e njeriut po mbetet pa rrugë

Javën e kaluar, dukej se Giorgia Meloni arriti një fitore të papritur. Kryeministrja italiane paraqiti planin e saj për të trajtuar mijëra azilkërkues në Shqipëri, ku do të ishte më e lirë t’i strehoje dhe më e lehtë t’i dëboje në krahasim me Italinë.

Znj. Meloni arriti një marrëveshje me qeverinë shqiptare, duke i dhënë Romës kontrollin mbi objektet që mund të strehojnë më shumë se 35 mijë migrantë dhe refugjatë në vit.
Për liderët evropianë që përpiqen të kufizojnë ligjërisht migracionin masiv, këto njësi banimi të parafabrikuara – të vendosura jashtë kuadrit të rreptë ligjor të BE-së – janë një pamje ngacmuese. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, nxiti liderët e tjerë të BE-së të kenë parasysh marrëveshjet e ngjashme për “qendra kthimi”. Madje, Sir Keir Starmer, i cili më parë kundërshtoi planin e ngjashëm të Britanisë për Ruandën, shprehu “interes të madh” për nismën e znj. Meloni.

Për një moment, dukej se znj. Meloni kishte arritur të pamundurën: të anashkalonte ligjet kufizuese për të drejtat e njeriut për të frenuar migracionin, me një miratim të heshtur – por, jo pa mbikëqyrje – nga Brukseli. Popullariteti i saj u shtri deri në komunitetin lokal në Shëngjin, në veri të Shqipërisë, ku një banor hapi një restorant të frymëzuar nga “Meloni”, pasi qyteti mori një infuzion parash prej qindra milionë eurosh.

Por, buja ishte jetëshkurtër. Disa ditë pasi qendrat u zbuluan, një gjykatë italiane vendosi që 12 nga 16 migrantët e vendosur aktualisht në Shqipëri, duhet të kthehen në Itali. Duke cituar një vendim të mëparshëm nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GjED), e cila përcakton se vendet si Egjipti dhe Bangladeshi nuk mund të konsiderohen “të sigurta” përveç nëse i gjithë territori i tyre është i lirë nga rreziqet, gjykatësit në Romë ndërhynë duke vënë në rrezik të gjithë skemën.

Qeveria italiane synon ta sfidojë vendimin, duke argumentuar se përcaktimi i vendeve të sigurta është brenda kompetencave të saj. Nga ana tjetër, gjykatat italiane ka të ngjarë të përdorin fuqitë e tyre të shqyrtimit gjyqësor për të goditur përsëri.

Kjo garë midis gjykatave dhe qeverive po bëhet temë kryesore e shqetësimeve evropiane për imigracionin: liderët perëndimorë gjithnjë e më tepër e shohin veten të pozicionuar kundër “të drejtave të njeriut” për të përmbushur mandatin demokratik për reduktimin e numrit të migrantëve.

Sa më shumë që qeveritë evropiane mbajnë përgjegjësi përpara votuesve të tyre, ose dëshirojnë të duken të tilla, aq më të gatshme shfaqen për të injoruar të drejtat e njeriut. Megjithatë, kjo shpesh përfundon në një betejë të humbur, pasi gjykatat zakonisht kanë epërsi. Ish-ministrja e Imigracionit e Danimarkës, Inger Støjberg, e përjetoi këtë nga afër në vitin 2021, kur u dënua me dy muaj burg nga një gjykatë speciale për ndarjen e çifteve të azilkërkuesve, në rastet kur gruaja ishte nën 18 vjeç. Me fjalë të tjera, ajo veproi sipas mandatit të saj për të goditur migracionin e paligjshëm. Incidentet e tilla shërbejnë si një kujtesë e ashpër për politikanët evropianë për atë se kush, në fund të fundit, mban pushtetin.

Ndërsa rrugët ligjore për largimin e njerëzve nga Evropa vazhdojnë të ngushtohen, ky skepticizëm ka të ngjarë të rritet. Nëse të drejtat e njeriut bëhen sinonim i migrimit të pakontrolluar dhe parlamenteve të dobësuara, legjitimiteti i tyre në sytë e publikut mund të bjerë – duke hapur rrugën për llojin e deliberalizmit që mbrojtësit e tyre kërkojnë të parandalojnë.