Në dyert dhe dritaret e bizneseve në Kosovë janë bërë të shpeshta shpalljet, nëpërmjet së cilave kërkohen punëtorë.
Dhjetëra biznese në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kanë të vendosura shpallje të tilla.
Shitës, punëtor arke, rrobaqepës, kuzhinier e kamerier janë profesionet që kërkohen më së shumti muajt e fundit.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ditëve të fundit ka fotografuar dhjetëra shpallje të tilla në rrugët e kryeqytetit.
Zyrtarisht në nivel vendi, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia kalon shifrat prej 17 për qind.
Por, pavarësisht këtij niveli të lartë të papunësisë, bizneset po e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë të rinj. Në konkurset e tyre pakkush paraqitet.
Mungesa e kontratave të punës, pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit vjetor si dhe shkelje të tjera të Ligjit të punës nga punëdhënësit, kanë ndikuar në rënien e interesimit të qytetarëve për të punuar në sektorin privat.
Mungesa e kontratave të punës, pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit vjetor si dhe shkelje të tjera të Ligjit të punës nga punëdhënësit, kanë ndikuar në rënien e interesimit të qytetarëve për të punuar në sektorin privat.
Bujar Hajdini është një biznesmen nga Prishtina që operon në sektorin e tekstilit.
Ai ka të punësuar rreth 30 punëtorë që kryesisht janë rrobaqepës. Aktualisht, ka të hapur 20 vende të reja të punës.
Përveç në rrjete sociale ai ka vendosur edhe shpallje fizike me shpresën se dikush do të paraqitet.
“Çfarë, nuk lajmërohet askush. Para 4-5 vitesh apo më shumë nuk ndalej telefoni kurrë”, tregon Hajdini eksperiencën që ka me shpalljen e fundit.
Hajdini thotë se mungesa e punëtorëve, sidomos atyre të kualifikuar, ia ka pamundësuar zgjerimin e biznesit.
“Të kualifikuarit shumica po dalin [jashtë vendit] edhe pse pagat nuk janë aq të ulëta, por kot, standardi i jetesës është rritur shumë. Unë doja të rritesha sepse kam kërkesa të prodhimit”, thotë Hajdin.
“Punëtorët si diamanti, vështirë gjenden”
Një sektor tjetër që vazhdimisht është në kërkim të punëtorëve është gastronomia. Këtu mungojnë kamerierët, banakierët, kuzhinierët dhe në veçanti mirëmbajtësit.
Florim Sermaxhaj që menaxhon një biznes të gastronomisë në kryeqytet thotë se thuajse çdo muaj është i obliguar të shpallë konkurse për punëtorë.
“Nevojë për punëtorë kemi sa të duash, por është bërë shumë problem të gjajmë. Si ta gjesh një diamant, si ta gjesh një punëtor – e njëjtë është bërë”, tregon ai.
Sermaxhaj thotë se mosha e punëtorëve që punojnë në këtë sektorë është mes 18 dhe 27 vjeç. Për shumicën prej tyre që tashmë nuk punojnë për biznesin e tij, Sermaxhaj thotë se e kanë lënë punën pas një apo dy muajsh.
Në shumtën e rasteve, shpjegon ai, ata kanë qenë duke pritur një termin për vizë pune jashtë vendit. Sermaxhaj thotë se kuzhinierët dhe mirëmbajtësit më së vështiri për t’i gjetur tani pasi siç shpjegon ai, ka fare pak të tillë që janë të interesuar për të punuar.
“Shumë, shumë problem është të gjesh kuzhinier. Pastrues nuk gjen hiç se hiç. Ka një vit që kërkoj dikë, qoftë dy orë, të vijë për të pastruar, por nuk vjen askush”, tregon Sermaxhaj.
“Më mirë hiç se i shkelur”
Mungesa e kontratave të punës, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit vjetor si dhe shkelje të tjera të Ligjit të punës nga bizneset janë, sipas disa qytetarëve, ndër arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e interesimit të qytetarëve për të punuar në sektorin privat.
Në veçanti rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe pagat e ulëta.
I.K, një i ri nga qyteti i Kamenicës thotë se ka punuar rreth pesë vjet në sektorin e gastronomisë në Prishtinë.
Në shumicën e vendeve të punës tregon se nuk ka pasur kontratë pune, nuk i është dhënë pushim vjetor, ka punuar me orar të stërzgjatur dhe nuk i janë paguar kontributet.
Paga më e lartë që ka marrë ka qenë 300 euro, thotë ai.
Për shkak të pamundësisë që të fitojë të ardhura të mjaftueshme, ai ka vendosur para pak javësh që ta lërë punën dhe ia ka vendosur vetes si qëllim largimin nga Kosova.
“Jam në pritje të terminit për vizë pune në Ambasadën gjermane. Po mbaj shpresë që e marr por që nuk mbërri të zë termin, atëherë më duhet t’i nostrifikoj diplomat dhe të ec nga këtu. Po, dua të shkoj në Gjermani”, rrëfen ai.
Sipas të dhënave, më 2021 nga Kosova janë larguar 42.000 banorë.
Ai thotë se nuk e ka menduar largimin nga Kosova para tre vjetësh kur kishte diplomuar për Drejtësi, por pamundësia për të gjetur një punë të qëndrueshme, ia ka ndryshuar mendjen.
Andi Sheqerollin, një i ri nga qyteti i Pejës ka punuar për disa vite në sektorin e gastronomisë përfshirë kamerier dhe kuzhinier. Ai thotë se sektori privat nuk ofron mirëqenie për shumë punëtorë në Kosovë, sidomos pas shtrenjtimit të standardit të jetesës.
“Sikur çdo i ri, normalisht se kemi pasur ide për t’u larguar nga shteti i Kosovës. Ka pasur shtrenjtim të ushqimit, të energjisë elektrike. Pra, secili njeri mendon për një jetë më të mirë. Shumica mendojnë të largohen për një jetë më të mirë, për të arritur diçka më shumë. Mendoj se atje paguhen më shumë se në Kosovë”, thotë ai.
Nga viti 2011 paga minimale në Kosovë është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç si dhe 170 për ata mbi 35 vjeç.
Në muajin prill të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugës rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 neto. Kryeministri Albin Kurti deklaroi më parë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë. Ky projektligj ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Mbi 60 mijë punëkërkues
Sipas Agjencisë së Kosovës për Punësim, në të gjithë territorin e Kosovës janë mbi 60 mijë punëkërkues aktivë.
Kjo agjenci ka një platformë në internet, në të cilën qytetarët mund të gjejnë një vend pune.
Jo të gjithë të papunët që janë të paraqitur fizikisht në zyrat e punësimit janë pjesë e kësaj platforme. Në fakt, janë shumë më pak, rreth 2.300.
Kamerierë, shitëse, punëtorë administrativë, edukatore, kujdestarë, punëtorë për sektorin e ndërtimtarisë dhe punëtorë në sektorin e përpunimit të metalit, aktualisht janë profesionet më të kërkuara.
Më së shumti vende të lira pune ka në qytetin e Dragashit, gjithsej 35.
“Në fund s’i mbesin as 70-80 euro”
Për shkeljen e të drejtave të punëtorëve vazhdimisht e ka ngritur zërin Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.
Jusuf Azemi që drejton këtë sindikatë, thotë se bizneset e kanë fajin kryesor pse nuk mund të gjejnë punëtorë.
Kjo, sipas tij, ndodh pasi bizneset kanë dështuar që të ofrojnë kushte të mira për punëtorët, që thotë ai, përballen me presione dhe keqtrajtim.
“Është shumë e vërtetë, sepse njohim shumë njerëz që në momentin kur biznesi i ofron një pagë prej 250 eurosh ai kur e bën llogarinë e vet, më llogari ka të mos punojë sesa të shkojë e të punojë sepse një shumë e madhe i shkon për shpenzime ditore, ushqim dhe rrugë dhe në fund a i mbesin 70-80 euro. Kështu punëtori e sheh më të arsyeshme që të mos ketë presion psikik nga pronarët e kompanive”, thotë ai.
Azemi thotë se barrën më të madhe do ta bartin vetë bizneset që do të mbesin pa punëtorë në të ardhmen.
“Në momentin që punëtori e mbërrin aftësimin adekuat, ai ikë jashtë [vendit]. Krejt kjo është si rrjedhojë e mosrespektimit të rregullave të punës [nga bizneset]”, thotë Azemi.
Shkelje të të drejtave të punëtorëve vazhdimisht konstaton Inspektorati i Punës i Kosovës. Ky institucion inspekton kompanitë dhe bizneset me vetiniciativë apo pas ankesës së punëtorëve.
Por, krahasuar me ankesat që bëjnë punëtorët në sektorin publik ku vendi i punës është më i sigurt, numri i ankesave nga punëtorët e sektorit privat është dukshëm më i vogël.
Përfaqësuesit e Sindikatës së Sektorit Privat thonë se punëtorët e sektorit privat nuk i paraqesin shkeljet që iu bëhen nga punëdhënësit pasi shumë lehtë humbin vendet e tyre të punës.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga data 1 qershor, kur e ka marrë detyrën, është angazhuar që të rriten inspektimet dhe që të dënohen bizneset që shkelin të drejtat e punëtorëve, sidomos në sektorin privat.
“Praktika e masës së vërejtjes për shkelje të rënda të Ligjit të punës dhe ligjeve tjera që shqipton inspektori i punës, është zëvendësuar me masën ndëshkimore të gjobës… Vërejtjet dhe gjobat janë dy mekanizma që për qëllim kanë vetëdijesimin, në këtë rast, të subjekteve në sektorin privat për respektimin e drejtave të punëtorit në bazë të Ligjit të Punës”, thotë Nikçi.
Kryeinspektori Nikçi thotë se për rritjen e kualitetit të inspektimeve është paraparë angazhimi i 100 inspektorëve të rinj të punës.
Sipas Nikçit, për vitin 2023 është ndarë buxhet edhe për 100 inspektorë të rinj, për të cilët pritet të shpallet konkursi pas plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për zyrtarët publik.
Evropa, ëndrra e madhe
Derisa kushtet e punëtorëve mbesin të këqija, njëjtë si vendet e rajonit edhe Kosova është prekur dukshëm nga emigrimi legal në vitet e fundit.
Trendi i emigrimit sipas shifrave zyrtare të institucioneve të Kosovës është në rritje.
Vetëm vitin e kaluar nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.
Arsyet kryesore të emigrimit të rregullt sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) janë: bashkimin familjar, martesa, gjetje e një vendi të punës apo edhe studime.
Sipas ASK-së, në vitin 2020 nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.
Disa punëtorë gjatë ndërtimit të një objekti në Prishtinë. Fotografi ilustruese.
Lirim Krasniqi, bashkëdrejtues i organizatës Germin, e cila merret me çështje të diasporës, thotë se janë disa faktorë që po nxisin emigrimin e qytetarëve të Kosovës.
“Në njërën anë janë faktorët shtytës si pagat e ulëta, kushtet e dobëta të punës (mungesa e kontratave, kontributeve, sigurimeve) të cilat po ndikojnë që të rinjtë sidomos të shikojnë mundësi të ndryshme për t’u larguar nga Kosova”, thotë Krasniqi.
Ai thotë se sektorët e gastronomisë dhe shitjes, për shkak të mosofrimit të kushteve të favorshme për punëtorët, janë shndërruar në vende të përkohshme pune.
Krasniqi parasheh kohë më të vështira për këta dy sektorë pasi, siç thotë ai, largimin e fuqisë punëtore do ta nxisë liberalizimi eventual i vizave për Kosovën, megjithëse thotë se gjasat për punësim përmes këtij procesi janë të ulëta.
“Liberalizimi i vizave do të ndikojë që një pjesë e madhe e atyre që nuk kanë arritur të pajisen me viza deri më tani, të emigrojnë. Gjithsesi, pritjet për punësim në vendet e Bashkimit Evropian nga liberalizimi i vizave janë jorealiste. Lëvizja e lirë nuk nënkupton edhe mundësinë për të punuar, dhe për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë legale, nevojitet sërish një proces i pajisjes me vizë pune”, thotë ai.
Emigrimi ka prekur gati të gjithë sektorët në Kosovë, por në masë të madhe shëndetësinë dhe ndërtimin.
Gjermania ka lehtësuar procedurat për pajisjen me një vizë pune për punëtorët e kualifikuar nga Kosova. Kështu është shndërruar në destinacionin kryesor për punëtorët e kualifikuar nga Kosova.
Njohësit e ekonomisë thonë se largimi i fuqisë punëtore pavarësisht çrregullimit të tregut të punës, mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të punës, si dhe në rritjen e pagave në sektorin privat në Kosovë.
Por, mungesa e fuqisë punëtore vendore, sipas Krasniqit, mund krijojë hapësirë për imigrim të punonjësve nga vende të tjera të botës.
Një fenomen i tillë, sipas tij, është vërejtur së fundi në shtetet fqinje.
Në Shqipëri kanë filluar të arrijnë punëtorë nga Filipinet, Bangladeshi, Turqia si dhe vendet e lindjes së mesme.
Ata po angazhohen kryesisht në sektorin e ndërtimit, kujdesit për të moshuarit dhe kujdesit për fëmijët.