I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë në Prishtinë të hënën pasdite për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.
Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, shkruan REL.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.
Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet.
Burimet diplomatike në Bruksel, po ashtu, thonë se ka përpjekje për të organizuar një takim të ri në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Edhe përgatitja e një takimi të tillë mund të jetë një prej arsyeve të udhëtimit të Lajçakut në Prishtinë. Vetë Lajçaku javën e shkuar paralajmëroi se një takim në nivel të kryenegociatorëve do të mund të zhvillohet “së shpejti“.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./Sinjali