Qeveria e Serbisë ka miratuar dekretin për kufizimin e çmimit të derivateve të naftës me qëllim të parandalimit të shqetësimeve më të mëdha dhe ruajtjen e standardit jetësor të popullatës, duke pasur parasysh se në periudhën paraprake çmimet e këtyre derivateve u rritën. Dekreti do të hyjë në fuqi nesër.
“Qeveria dje ka miratuar një dekret i cili para së gjithash i referohet çmimeve me pakicë të Eurodieselit, çmimi i të cilit është i kufizuar në 179 dinarë dhe benzinës BMB 95, çmimi maksimal i së cilës mund të jetë 171 dinarë. Çmimet e derivateve të tjera, sikurse më parë formohen lirisht në treg, ndërsa dekreti do të vlejë 30 ditë” ka thënë ndihmësministri i tregtisë Jasmin Hoxhiq
Kjo praktikisht do të thotë se çmimi i derivativeve të përmendura nuk do të rriten deri më 12 Mars.
Ai tha se me dekret është përcaktuar vetëm çmimi maksimal i këtyre dy derivateve dhe se ministria nuk ka hyrë në korrigjim të çmimeve të akcizës apo strukturës së çmimeve, sepse kjo nuk është kompetencë e këtij departamenti.
Ai tha se Qeveria e Serbisë është duke i monitoruar të gjitha zhvillimet në skenën politike dhe ekonomike botërore dhe përkujtoi se, sipas projeksionit të Bankës Popullore të Serbisë, ky lloj presioni i inflacionit do të zgjasë deri në shtator.
“Duhet ditur që rrethanat nuk janë të mira, por shteti po bën ç’të mundet dhe mendoj se kjo rregullore është e mirëseardhur për të stabilizuar çmimet, jo vetëm të këtyre dy energjive, por edhe të mallrave dhe shërbimeve të tjera në treg”, tha ai.
Sa i përket çmimeve në rajon, sipas të dhënave të faqes globalpetrolprices të datës 31 janar të këtij viti (globalpetrolprices), çmimet e naftës variojnë nga 1.14 euro për litër në Maqedoninë veriore deri në 1.58 euro në Shqipëri. Sa i përket çmimeve të benzinës, ato variojnë nga 1.23 euro për litër në Bullgari deri në 1.6 euro për litër në Shqipëri./Spektri