“Është depoja e pestë që ne e kemi gjetur brenda vitit”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa prezantonte një arsenal armësh e municionesh të kapura në veri të vendit, më 14 maj.
Në aksionin policor që, siç u tha, u iniciua nga informacionet e inteligjencës, në Zveçanin e banuar me shumicë serbe, u kapën dhjetëra armë e eksplozivë dhe mijëra copë municion.
Autoritetet e Kosovës thanë se ky armatim i gjetur mund të jetë i lidhur me sulmin e shtatorit të vitit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në atë kohë, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.
Çfarë dihet për armët e konfiskuara?
Policia e Kosovës e as MPB-ja nuk kanë ofruar detaje mbi armatimin e gjetur në aksionin e fundit apo origjinën e mundshme të tij.
Megjithatë, Njësia e Forenzikës Digjitale të Radios Evropa e Lirë, ka arritur të identifikojë llojet dhe prodhimin e disa prej armëve e municionit të gjetur, në bazë të detajeve nga fotografitë e publikuara.
Kush po i sjell armët në Kosovë?
Institucionet e Kosovës, por edhe raporte të mediave në Kosovë kanë ngritur dyshime për përfshirje direkte apo indirekte të Serbisë në armatosjen e veriut dhe sulmin e Banjskës, por një gjë e tillë është mohuar nga Beogradi zyrtar.
“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie, si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga [presidenti serb] Aleksandër Vuçiq”, kishte thënë ministri Sveçla pas aksionit.
Në anën tjetër, Beogradi zyrtar nuk i është përgjigjur kërkesës për koment nga REL-i lidhur me arsenalin e fundit të armëve të kapur në veri.
Sipas Mentor Vrajollit, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, është vështirë të verifikohet që Serbia në mënyrë të organizuar është duke dërguar armë në veri.
“Por, është shumë vështirë edhe të vërtetohet e kundërta”, thotë ai.
“Është e pamundur që gjithë ajo sasi e armëve të hyjë në Kosovë, një pjesë e tyre prodhim i vonshëm, e që askush nga shteti serb të mos ketë qenë i përfshirë në këtë kontrabandë”, thotë ai.
Sipas Vrajollit, në zgjidhjen e kësaj enigme duhet të kenë rol edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.
“Krejt çka duhet është që komuniteti ndërkombëtar të flasë hapur për këtë problem dhe të bëjë trysni të drejtpërdrejtë që Serbia të mos fusë armë në Kosovë dhe të mos përpiqet të destabilzojë paqen në rajon”, thotë Vrajolli.
Brishtësia e vijës së gjatë kufitare të Kosovës dhe Serbisë, siç thotë ai, po ashtu e bën të vështirë kontrollin e kontrabandës së mundshme të armëve nga Serbia drejt veriut të Kosovës.
Në anketën e quajtur Barometri Kosovar i Sigurisë, i publikuar nga QKSS-ja, në vitin 2023, 77 për qind e të anketuarve kishin thënë se e shohin trafikimin e paligjshëm të armëve si një rrezik të lartë të sigurisë publike.
Ani pse janë disa të arrestuar për sulmin në Banjskë, ende nuk ka aktakuzë të ngritur.
Një e tillë pritet edhe ndaj ish-nënkryetarit të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Ai kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë pasi është larguar nga Kosova pas sulmit. /Radio Evropa e Lirë/