Studentët në bllokadë në Serbi kanë publikuar një Memorandum për Kosovën, në të cilin e përshkruajnë Kosovën si “pjesë të pandashme të Serbisë” dhe si themel të identitetit kombëtar serb, raporton Spektri.
Dokumenti, i publikuar në rrjetet sociale, ka nxitur reagime të shumta, sidomos për faktin se lëvizja studentore deri më tani ishte prezantuar si një iniciativë qytetare dhe demokratike me orientim evropian.
Në memorandum, studentët flasin për “ruajtjen e rendit kushtetues të Serbisë në Kosovë”, për “detyrën historike ndaj Kosovës dhe Metohisë”, si dhe e cilësojnë çështjen e Kosovës si pjesë të identitetit dhe kulturës serbe.
Për shumë vëzhgues, ky dokument tregon se prapa narrativës së protestave qytetare fshihet edhe një agjendë e qartë nacionaliste ndaj Kosovës.
Veçanërisht bie në sy fakti se memorandumi nuk përmend realitetin aktual politik në Kosovë, institucionet e saj apo të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, por e trajton Kosovën ekskluzivisht si çështje të shtetit dhe identitetit serb.
Studentët deklarojnë se “lufta për Kosovën është luftë për dinjitetin, kulturën dhe të ardhmen” e tyre, duke dërguar kështu një mesazh politik që ka shkaktuar debat të madh në opinion.
Teksti i memorandumit:
Ne, studentët e Serbisë, të mbledhur në Kragujevc, kryeqytetin e parë të Serbisë moderne dhe qendrën e mendimit shtetformues serb, të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë personale dhe kolektive si dhe për borxhin historik ndaj paraardhësve dhe brezave që vijnë, kemi miratuar këtë Memorandum si shprehje të vullnetit të përbashkët.
- Kosova dhe Metohia janë pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e Republikës së Serbisë.
Ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese, por edhe imperativ historik dhe moral që nuk i nënshtrohet negociatave mbi thelbin e tij.
Ruajtja e rendit kushtetues të Serbisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë është themel i mbijetesës së shtetit serb dhe garanci për një paqe të drejtë në rajon.
- Kosova dhe Metohia nuk janë vetëm territor – ato janë pjesë e identitetit kombëtar serb.
Si qytet ku është themeluar shtetësia moderne serbe, Kragujevci bart detyrën për të ruajtur vlerat testamentare që lindën në Kosovë dhe Metohi, jo vetëm në fushat e betejave të përgjakshme, por edhe në horizontin shpirtëror nga i cili edhe sot ndriçojnë kishat e Prizrenit, patriarkana e Pejës, thesaret e Banjskës dhe shtyllat e kupolave të Graçanicës.
Pa Kosovën dhe Metohinë, kodi ynë kulturor dhe historik humbet burimin dhe kuptimin e tij.
- Si popull i pjekur dhe me histori të gjatë, jemi të vetëdijshëm se çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda proceseve komplekse të bashkësisë ndërkombëtare.
Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, duke i konsideruar ato partnerë të domosdoshëm në gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me Kushtetutën e saj.
Qëllimi ynë është një model që, me respektim të vazhdueshëm të së drejtës ndërkombëtare, do të sigurojë paqe, siguri dhe mbrojtje të plotë të të drejtave për popullin që jeton në këtë territor.
- Çështja e Kosovës dhe Metohisë i përket çdo qytetari të këtij vendi.
Lidhja jonë me krahinën jugore nuk buron vetëm nga fakti se jemi mbajtës të pasaportës së Republikës së Serbisë, por nga vetë roli ynë si pjesë e historisë dhe kulturës serbe.
Çdo individ, si bartës i kujtesës kolektive, ka detyrë të kontribuojë në ruajtjen e kësaj trashëgimie shpirtërore dhe kulturore, e cila tejkalon kufijtë e dokumenteve administrative./ SPEKTRI