Nis aksioni i madh i policisë në Serbi, kontrola të shtuara deri në fund të majit

Policia e trafikut në Serbi nga sot, 18 maj, deri më 31 maj do të zhvillojë një aksion të zgjeruar të kontrollit në komunikacion, të fokusuar te këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve me dy rrota.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se aksioni vjen pas statistikave shqetësuese, pasi vetëm në katër muajt e parë të këtij viti në Serbi kanë humbur jetën 34 këmbësorë dhe 22 drejtues të mjeteve me dy rrota, kategori që konsiderohen më të rrezikuarat në trafik.

Sipas njoftimit të MPB-së, kontrollet do të përqendrohen në evidentimin e shkeljeve që kryhen nga këmbësorët, motoçiklistët, biçiklistët dhe përdoruesit e trotinetëve elektrikë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe ruajtjen e jetëve njerëzore.

“Apelojmë veçanërisht te drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve dhe mjeteve me dy rrota, të ulin shpejtësinë pranë vijave të bardha dhe në zonat me frekuencë të lartë të qytetarëve, si tregjet dhe qendrat tregtare. Ndërsa këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve me dy rrota duhet të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përdorin pajisjet mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.