Në Novi Pazar është shënuar përfundimi i ciklit të tretë të Programit të Praktikës Profesionale. Përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Serbi, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social, u dorëzuan certifikata pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur përmes procesit të përzgjedhjes u vendosën në tetë institucione – Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Social, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Agjencia Kundër Korrupsionit, Zyra e Komisionerit për Barazi, Komisioni për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe barazinë gjinore në Kuvendin Popullor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Akademia e Gjyqësorit.
Aulona Halimi nga Medvegja praktikën e saj profesionale e ka kryer në Shërbimin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ajo thotë se përvoja që ka fituar në këtë organ shtetëror është e vlefshme.
“Periudha e mëparshme prej 6 muajsh gjatë projektit është një nga eksperiencat më të mira në jetën time. Më ndihmoi të mësoja dhe të rritesha, si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Në të njëjtën kohë, ishte një periudhë shumë sfiduese për të gjithë ne, sepse ishim në një qytet krejtësisht të ri me njerëz të panjohur që nuk i njihnim deri atëherë”, tha Aunjona.
Ajo beson se përvoja e fituar do të thotë shumë për të në të ardhmen.
“Shfrytëzoj rastin të falënderoj drejtoreshën e Shërbimit të Trupit Koordinues, Danijela Nenadiq, për mbështetjen e pakushtëzuar dhe motivimin e vazhdueshëm. Falenderoj edhe anëtarët e ekipit të projektit, Mikaelën, Vladanin dhe Almirin, të cilët na kanë qenë në dispozicion dhe na kanë ofruar mbështetje gjatë gjithë kohës”, shtoi Aulona.
Shefi i misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Bratu, thotë se qëllimi i projektit është përfshirja e të rinjve nga komunitete të ndryshme në punën e organeve shtetërore.
“Misioni ynë e zbaton programin e praktikës në bashkëpunim me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social. Pjesëmarrësve iu dha mundësia që përmes pjesëmarrjes të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre personale, si dhe institucionet të kenë mundësinë të punësojnë profesionistë. Në fund, të gjithë kontribuojnë Ky program bazohet në radhë të parë në partneritetin që misioni ynë ka në nivel qendror por edhe me institucionet në nivel local, po ashtu edhe të rinjtë nga komunitetet pakicë”, shpjegoi Bratu.
Ministrja Gordana Çomiq tha se dëshiron që Serbia të marrë përsipër programin në të ardhmen e afërt dhe të përfshijë më shumë pjesëmarrës në të.
“Ajo që ministria jonë do të insistojë dhe do të bëjë është që të vazhdojë programi, të jetë një program vjetor me shumë të rinj. Më vjen keq që në programin e këtij viti morën pjesë vetëm dy anëtarë të minoritetit shqiptar”, tha Çomiq.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetarja e Kuvendit të Qytetit të Novi Pazarit, dr. Anela Haliloviq Shemsoviq.
Që nga viti 2019, gjithsej 20 pjesëmarrës nga Serbia jugore dhe jugperëndimore kanë përfunduar programin e praktikës.
Programi financohet nga misionet e përhershme të Austrisë dhe Turqisë pranë OSBE-së, ndërsa vitin e kaluar është financuar nga Misioni i SHBA-së pranë OSBE-së./sandzaklive