Rikthehen ligat evropiane, sot vëmendja në dy derb





E shtuna ka rezervuar ndeshje interesante për të gjithë dashamirët e futbollit.
Top pesë ligat evropiane do të vijojnë me ndeshje interesante nëpër kampionatet respektive.

Vëmendja kryesore pritet të jetë në ndeshjen e pasdites, në Premier League, kur Arsenali do të luajë përballë Tottenhamit në derbin e Londrës Veriore.

Ndeshja fillon në orën 13:30 dhe luhet në “Emirates Stadium”, transmeton lajmi.net.

Të dyja skuadrat janë duke kaluar nëpër një formë fantastike, fakt ky që do ta bëjë edhe më interesante përballjen.

Në ligën angleze do të luajnë edhe Chelsea, që sfidohet nga Crystal Palace (16:00) dhe Liverpooli që e pret Brightonin (16:00).

Ndeshje me peshë do të ketë edhe në Itali, aty ku Interi pret në “Meazza” Romën e Jose Mourinhos. “Zikaltrit” s’po kalojnë formë të mirë, andaj rikthimi synohet të bëhet pikërisht ndaj kryeqytetasve që janë një kundërshtar mjaft i papërshtatshëm.

Ndeshja luhet në orën 18:00, ndërsa në mbrëmje luan edhe Milani që është mikpritës i Empolit (20:45).

Në La liga, derbi i kësaj fundjave është Sevilla – Atletico Madrid (18:30), kurse në orën 21:00 Barcelona pret në shtëpi Mallorcan e Vedat Muriqit.