Shqipëria përplaset me Rusinë për Kosovën në OKB!





Kosova përplasi në Këshillin e Sigurimit ambasadorin e Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya me atë shqiptar, Ferit Hoxha.

Në mbledhjen radhës së Këshillit në Nju Jork, Nebenzya u përpoq të hiqte paralele mes agresionit rus në Ukrainë dhe luftës në Kosovë. Përfaqesuesi i Moskës lëshoi drejt Perëndimit akuza për standarte dyfishe, e madje doli me pretendimin se për pavarësinë e Kosovës nuk pati referendum, ndërsa Rusia, sipas tij, në Ukrainë po përpiqet t`i bëjë gjërat ndryshe. Nebenzia tha po kështu se nuk është e drejtë t’i bëhet presion Serbisë që të vendosë sanksionëve ndaj Rusisë me të cilën ka marrëdhënie historike.

“Duke i refuzuar banorëve të Donbasit në territoret e çliruara të Ukrainës, të drejtën për vetëvendosje, delegacionet perëndimore po demonstrojnë standardet e tyre të dyfishta skandaloze. Kritikët më të zëshëm të referendumit në Donbas e Zaporozhia ishin dikur të parët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Pastaj deklaruan se territori kishte të drejtë të shkëputej nga shteti serb nëse ekzistonte një kërcënim real që të drejtat e shqiptarëve të Kosovës do të cenoheshin rëndë nga e ashtuquajtura vazhdimësi korrigjuese… Në Kosovë absolutisht nuk ka pasur referendum, nuk ka vota të lira të popujve atje.

Ka qenë vetëm një shpallje e pavarësisë, e miratuar nga autoritetet e përkohshme vetëqeverisëse që tejkaluan kompetencat e tyre. Në atë kohë kjo ishte e mjaftueshme që Perëndimi të njihte pavarësinë e Kosovës dhe konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk e pengonte atë të shpallte pavarësinë e saj.”

Ambasadori Hoxha reagoi menjëherë, duke e cilësuara si krejtësisht të gabuar një krahasim të tillë të diplomatit rus.

“Delegacioni rus hoqi përsëri një paralele me Republikën e Kosovës, një vend i pavarur që është njohur nga gjysma e Kombeve të Bashkuara duke përfshirë gjysmën e këtij këshilli, pra kjo është e gabuar, e pasaktë dhe për të ardhur keq.

Asgjë nuk mund të jetë më artificiale dhe e detyruar sesa krahasimi i përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit, për të mbrojtur civilët dhe për të vendosur një proces paqeje, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme siç ishte rasti i Kosovës, me agresionin e pastër dhe të paprovokuar dhe referendumin që po mbahet tani në Ukrainë.

Askush nuk mund të mashtrohet nga kjo, askush nuk tenton të krahasojë të pakrahasueshmen, asnjë rrugë e shkurtër nga konteksti historik dhe politik nuk do ta ndihmojë Rusinë të largojë vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë.”

Hoxha i kujtoi më tej kolegut rus se Kosova dhe Serbia po dialogojnë për të zgjidhur problemet dhe se ato takohen mes tyre, nuk luftojnë./tch