Më shumë se 85% e njerëzve janë të shqetësuar për ndikimin e dezinformimit në internet dhe 87% besojnë se ai tashmë e ka dëmtuar politikën e vendit të tyre, sipas një sondazhi global, pasi Kombet e Bashkuara njoftuan një plan për ta trajtuar fenomenin në fjalë.
Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e organit të kulturës të OKB-së, UNESCO, u tha gazetarëve të hënën se informacioni i rremë dhe gjuha e urrejtjes në internet – të përshpejtuara dhe të përforcuara nga platformat e mediave sociale – përbëjnë “rreziqe të mëdha për kohezionin social, paqen dhe stabilitetin”.
Rregullorja ishte urgjentisht e nevojshme “për ta mbrojtur qasjen në informacion… duke e mbrojtur në të njëjtën kohë lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut”- ka thënë Azoulay ndërkohë që e prezantoi një “projekt qeverisjeje” për qeveritë, rregullatorët dhe platformat.
Një sondazh i komisionuar nga UNESCO në 16 vende ku do të mbahen zgjedhjet kombëtare vitin e ardhshëm – me gjithsej 2.5 miliardë votues – tregoi se sa urgjente është bërë nevoja për rregullim efektiv, thotë organizata e lartcekur, UNESCO.
Sondazhi nga anketuesi Ipsos me 8,000 njerëz në vende përfshirë Austrinë, Kroacinë, SHBA-në, Algjerinë, Meksikën, Gana dhe Indinë, zbuloi se 56% e përdoruesve të internetit i merrnin lajmet e tyre kryesisht nga mediat sociale, shumë më tepër se nga TV (44%) apo faqet mediatike (29%).
Mediat sociale, sipas sondazhit të lartcekur, ishin burimi kryesor i lajmeve në pothuajse çdo vend, pavarësisht se besimi në informacionin që ofronte është dukshëm më i ulët se në mediat tradicionale: 50% kundrejt 66% për televizionin, 63% për radion dhe 57% për faqet e internetit dhe aplikacionet e medias.
Në të 16 vendet, 68% e të anketuarve kanë thënë se mediat sociale ishin vendi ku lajmet e rreme ishin më të përhapura, përpara aplikacioneve të mesazheve (38%), një besim “shumë i përhapur në të gjitha vendet, grupmoshat, prejardhjet sociale dhe preferencat politike”.
Dezinformimi u pa në masë të madhe si një kërcënim konkret, me 85% që thanë se ishin të shqetësuar për ndikimin e tij. 87% thanë se dezinformimi kishte pasur tashmë një ndikim të madh në jetën politike kombëtare dhe do të luante një rol në zgjedhjet e 2024-ës.
Gjuha e urrejtjes u pa gjithashtu si e përhapur: 67% e të anketuarve thanë se e kishin parë atë në internet (dhe 74% e moshave nën 35 vjeç). Shumica e madhe (88%) janë shprehur se qeveritë dhe rregullatorët duhet t’i adresojnë të dyja çështjet, dhe 90% gjithashtu donin që platformat të ndërmarrin veprime.
Vigjilenca u pa si veçanërisht e rëndësishme gjatë fushatave zgjedhore. Nga të anketuarit, 89% kërkuan ndërhyrje nga qeveria dhe rregullatorët dhe 91% dhe pritshmëria e tyre ishte që platformat e mediave sociale të ishin edhe më vigjilente kur demokracia ishte drejtpërdrejt në lojë.
UNESCO ka thënë se plani i saj, i bazuar në shtatë parime kryesore, kishte dalë nga një proces konsultimi të e përshkroi si “të paprecedentë” në sistemin e OKB-së, duke mbështetur më shumë se 10,000 kontribute nga 134 vende për një periudhë 18-mujore.
Rregullatorët publikë të pavarur dhe me burime të mira duhet të krijohen kudo, tjonë zyrtarë nga UNESCO dhe duhet të punojnë ngushtë së bashku si pjesë e një rrjeti më të gjerë për t’i parandaluar organizatat dixhitale të përfitojnë nga dallimet rregullatore kombëtare.
Platformat duhet ta moderojnë përmbajtjen në mënyrë efektive dhe në shkallë, në të gjitha rajonet dhe në të gjitha gjuhët, dhe të jenë “të përgjegjshme dhe transparente në lidhje me algoritmet që janë shumë shpesh të orientuara drejt maksimizimit të angazhimit me koston e informacionit të besueshëm”.
Rregullatorët dhe platformat duhet gjithashtu të marrin masa më të forta – duke përfshirë vlerësimet e rrezikut, raportimin e përmbajtjes dhe transparencë më të madhe rreth reklamave politike – gjatë zgjedhjeve dhe krizave të tilla si konfliktet e armatosura dhe fatkeqësitë, thonë zyrtarë nga organizata e OKB-së, UNESCO./The Guardian