Sveçla përgëzon profesionalizmin e Policisë gjatë ballafaqimit me “grupe kriminale” në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se kryetarët e komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, raporton Klankosova.tv.

“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim”.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, shkroi Sveçla.

Ai ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”.

“Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”.