Ymeri: Rolet gjinore në punët e shtëpisë po riprodhohen në shoqërinë tonë





Visar Ymeri, drejtor i Institutit “Musine Kokalari”, ka folur mbi studimin që ka nxjerrë ky institut mbi punën e papaguar në Kosovë. Në Interaktiv të KTV-së, Ymeri ka shpjeguar të martën se kanë analizuar si ndahet në kohë, përgjegjësi dhe çfarë lloj punësh bëjnë gratë dhe burrat në shtëpi.
Ai ka thënë se në Kosovë tradicionalisht punët e shtëpisë janë ndarë në mënyrë të pabarabartë dhe kjo sipas tij duhet të ndryshojë. Ymeri ka shtuar se duhet të mendohen mënyra se si të arrihet barazi në shoqëri.

“Ky është problem historik dhe po riprodhohet vazhdimisht. Rolet gjinore karshi punëve të shtëpisë po riprodhohen në shoqërinë tonë. Një prej angazhimeve që kërkon më së shumti kohë është kujdesi ndaj fëmijëve, sipas raportit. Zakonisht pse gratë janë më joaktive në tregun e punës, pse përqendrohen në punë me orar më të shkurtër, është për shkak të obligimeve që i kanë në shtëpi. Gratë që janë të punësuara e kanë edhe një ndërrim të punës, për t’i kryer punët e shtëpisë. Punësimi sipas gjetjeve është një prej mekanizmave që e redukton kohën e papaguar që e shpenzon gruaja në shtëpi”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka theksuar se koha e shpenzuar e gruas në punët e shtëpisë që janë të përditshme, është e dëmshme për shëndetin e saj, por nga ana tjetër është e dëmshme edhe për burrat të cilët nuk angazhohen në to.
“Shihet se norma dhe tradita jonë po e detyron gruan që këtë kohë që e shpenzon në punën me pagë ta bëjë në dëm të kohës që do ta kishte shpenzuar për veten. Po kërkojmë që së paku të fillojmë ta njohim si punë, institucionalisht dhe kulturalisht. Kjo është punë dhe pastaj ta kuptojmë që këtë punë që është 33% e bruto produktit vendor, 2/3 e bëjnë gratë dhe vetëm 1/3 e bëjnë burrat dhe kjo është pabarazi e skajshme”, ka vazhduar ai.

Sipas studimit të këtij instituti, gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë dhe burrat 3.5 orë në punë përkujdesi të papaguar në ditë. Gjetjet e hulumtimit dëshmojnë se përderisa një individ shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesjeje të papaguar në Kosovë (në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë), gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë për punë të papaguar se burrat, përkatësisht gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve. Ndërkaq burrat shpenzojnë 2.97 orë duke bërë punë shtëpie, 0.95 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 0.42 orë në kujdesin e të moshuarve. Sa i përket punës me pagesë, gratë dhe burrat shpenzojnë mesatarisht një sasi të ngjashme kohe, gratë 5.6 orë dhe burrat 5.7 orë.

Ymeri, ka thënë se barazia shoqërore arrihet përmes masave që duken të pabarabarta.
Ai ka shtuar se trajtimi i barabartë në shoqëri arrihet duke mos i trajtuar të gjithë barabartë.

“Nëse Qeveria Kurti shpërndanë një pako financiare nuk mund t’ua ndajë të gjithëve nga 100 euro sepse ata i kanë të hyrat e pabarabarta dhe nëse ua jep të gjithëve njëjtë, ti vetëm se po ndihmon në pabarazi. Në kuota gjinore në parlament nuk është e barabartë. Duhet kujdesur që masat monetare që ndahen të mos prodhojnë stereotipin gjinor, si p.sh masa për lehonat. Me këto masa po e konfirmon ose po e riprodhon stereotipin gjinor duke thënë se nëna duhet të qëndrojë me fëmijën, ndërsa babi jo. Kjo është pabarazi edhe ndaj burrit”, ka thënë ai.