Zbulohet paga e Lewandowskit te Barcelona, polaku pranoi edhe ulje të pagës për t’u transferuar në “Camp Nou”

Robert Lewandowski ka pranuar që të ketë ulje në pagën e tij, vetëm për të vulosur një kalim te Barcelona nga Bayern Munichi. Të shtunën pasdite u bë e ditur se është arritur një marrëveshje mes dy klubeve për transferimin e polakut në “Camp Nou”, i cili i dha fund kështu aventurës tetë vjeçare në “Allianz Arena”.

33-vjeçari kishte një vit të mbetur në kontratën e tij, por shprehu dëshirën e tij për t’u larguar nga Bayerni, teksa vendosi të bënte edhe një ulje të pagës në mënyrë që të sigurohej që të përfundonte te Barcelona. Gjatë kohës së tij te “Bavarezët”, ai fitoi 235 mijë euro në javë dhe ishte lojtari më i paguar në Bundesligë.

Sipas gazetës spanjolle “AS”, polaku ka pranuar një kontratë që parasheh se ai do të fitojë 176 mijë euro në javë me Barcelonën. Robert Lewandowski me Barcelonën është pajtuar për një kontratë 3-vjeçare.