209 fëmijë me nevoja të veçanta përfituan mbështetje – publikohet raporti i Këshillit Kombëtar Shqiptar

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka publikuar raportin informues të Kryetarit Enkel Rexhepi, lidhur me programin e mbështetjes së qëndrueshme për fëmijët me nevoja të veçanta, i cili është realizuar me mbështetje financiare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të paraqitura në raport, 209 fëmijë janë përfshirë drejtpërdrejt në program, ndërsa janë realizuar gjithsej 380 seanca psikologjike dhe 293 seanca logopedike, duke synuar përmirësimin e zhvillimit psiko-emocional dhe komunikimit të fëmijëve.

Po ashtu, në kuadër të këtij programi janë angazhuar 22 asistentë personalë, ndërsa 109 prindër kanë qenë pjesë e procesit mbështetës dhe këshillues, çka sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve, familjeve dhe profesionistëve të fushës.

Programi është realizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndërsa financimi është siguruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të projekteve që synojnë përmirësimin e pozitës sociale dhe arsimore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Megjithatë, raporti hap edhe nevojën për vazhdimësi dhe zgjerim të këtyre programeve, duke pasur parasysh numrin e fëmijëve që ende kanë nevojë për mbështetje të specializuar dhe mungesën e përhershme të shërbimeve të tilla në nivel lokal.