Kumbaro – Këshilli Kombëtar Shqiptar: dialog për arsimin shqip në Luginë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka zhvilluar një takim me Ministren e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, ku është diskutuar për sfidat dhe problematikat që lidhen me arsimin shqip në Luginën e Preshevës.

Sipas njoftimit të publikuar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në fokus të bisedës ishin mungesa e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të Luginës, nevoja për trajnimin e mësimdhënësve, infrastruktura e vjetëruar shkollore, si dhe centralizimi i sistemit arsimor, ku ministria vendos edhe për emërimin e drejtorëve të shkollave shqipe.

Po ashtu, u trajtua edhe çështja e mosnjohjes së diplomave, si dhe problemet me të cilat përballen studentët shqiptarë nga Lugina e Preshevës që studiojnë në Shqipëri, problematika që, sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar, kërkojnë vëmendje dhe angazhim edhe nga shteti shqiptar për një adresim të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Në fund, është shprehur mirënjohje ndaj ministres Kumbaro për gatishmërinë për nisjen e një bashkëpunimi të frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës./Spektri