Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak me kohëzgjatje 75 ditë pritet të nisë nga dhjetori i këtij viti ose nga marsi i vitit të ardhshëm (2027), ndërsa vendimi përfundimtar do të merret së shpejti.
Duke folur për media në Beograd, Vuçiç tha se në një ose dy muajt e ardhshëm vendimi do t’i dërgohet për miratim Kuvendit të Serbisë, ndërsa nga shtatori ose tetori do të fillojë procesi i evidentimit të obliguesve ushtarakë.
Sipas tij, dilema mes dhjetorit dhe marsit varet nga përgatitjet logjistike dhe infrastrukturore. Ai theksoi se, ndonëse ka pajisje të mjaftueshme, si armë dhe uniforma, ende nuk janë përfunduar përgatitjet në objekte të caktuara.
“Duhet të rinovohen qendrat rekrutuese, ambulancat dhe infrastruktura përcjellëse. Duam që të rinjtë shërbimin ushtarak ta kryejnë në kushte sa më të mira, duke fituar përgjegjësi dhe seriozitet”, u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak është trajtuar edhe gjatë analizës së gjendjes dhe kapaciteteve operative të Ushtrisë së Serbisë për vitin 2025.
Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak pritet të prekë mijëra të rinj në të gjithë Serbinë, përfshirë edhe ata nga Lugina e Preshevës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se thirrjet për evidentim do të nisin që në vjeshtë. Vendimi ka ngjallur debat publik, sidomos mes të rinjve dhe familjeve të tyre, për shkak të ndikimit në planet arsimore dhe profesionale.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte pezulluar në fund të vitit 2010 dhe nga 1 janari 2011 u aplikua sistemi i ushtrisë profesionale dhe shërbimi vullnetar. Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm për 75 ditë u miratua nga presidenti Vuçiç më 14 shtator 2024.