Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar sot në një konferencë për media se do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai tha se nominimi i tij është mbështetur plotësisht nga Kryesia e partisë.
“Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi”, u shpreh Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se ka hequr dorë nga përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë dhe renditja e tyre, duke theksuar se këtë proces do ta kryejë një grup më i gjerë brenda partisë për të shmangur pakënaqësitë dhe për të siguruar transparencë.