Aksion për dhurim vullnetar të gjakut më 22 prill në Qendrën Sportive “Rinia”

Në Qendrën Sportive “Rinia” në Bujanoc do të organizohet një aksion i dhurimit vullnetar të gjakut, me iniciativë të pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Aksioni do të mbahet ditën e mërkure, më 22 prill, në organizim të Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut pranë Policisë në Vranjë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Bujanoc dhe Shoqatën e Punëtorëve të Telekomit “Në Zemër”, raporton Spektri.

Aksioni do të nisë nga ora 09:00 dhe do të zgjasë deri në 16:00.

Këtë vit, në dispozicion do të jenë dy ekipe nga Transfuzioni i Gjakut në Nish, të cilët do të përkujdesen që grumbullimi i gjakut të zhvillohet në mënyrë sa më komode dhe pa pritje.

Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti humanitar, duke theksuar rëndësinë e dhurimit të gjakut për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e rezervave të nevojshme për institucionet shëndetësore.

Dhurimi i gjakut mbetet një nga aktet më të thjeshta, por edhe më të vlefshme të solidaritetit njerëzor.