Alkooli dhe droga – shkaktarët kryesorë të shkeljeve në komunikacion

Policia ka përjashtuar nga komunikacioni rreth 1.900 shoferë gjatë shtatë ditëve të fundit, për shkak të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit. Megjithëse numri i viktimave në aksidentet rrugore është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara, statistikat mbeten alarmante: 476 persona kanë humbur jetën, ndër ta 16 fëmijë.

Aksioni shtatëditor i kontrolleve të shtuara tregoi se nga rreth 20.000 shkelje, më të shpeshtat lidhen me drejtimin nën ndikimin e alkoolit – 320 raste në gjendje të rëndë të dehjes, si dhe 125 raste nën ndikimin e substancave psikoaktive, raportojnë mediat në Serbi.

Pavarësisht këtyre shifrave, autoritetet theksojnë se këtë vit ka 20 viktima më pak krahasuar me vitin e kaluar dhe se ekziston mundësia që viti të përfundojë me numrin më të ulët të viktimave në histori. Megjithatë, siç u theksua, kjo nuk është arsye për kënaqësi përderisa jetën e kanë humbur qindra pjesëmarrës në komunikacion.

Veçanërisht shqetësues mbetet fakti se 16 viktima ishin fëmijë, prej të cilëve 9 humbën jetën si pasagjerë. Sipas të dhënave, vetëm 60 për qind e prindërve përdorin ulëset e posaçme për fëmijë në automjete, ndërsa rreth 90 për qind e tyre nuk i përdorin ato në mënyrë të rregullt.

Gabimet më të shpeshta lidhen me mos-përshtatjen e ulëses me moshën dhe zhvillimin e fëmijës, vendosjen e pasigurt në automjet, si dhe lidhjen jo të duhur të fëmijës me rripat mbrojtës. Ekspertët theksojnë se ulëset e vendosura kundër drejtimit të lëvizjes ulin rrezikun e vdekjes dhe lëndimeve të rënda deri në 70 për qind, ndërsa ato në drejtim të lëvizjes rreth 50 për qind.

Siguria e fëmijëve gjatë udhëtimeve festive dhe respektimi i rregullave të komunikacionit do të jenë në fokus të aksionit të Policisë së Trafikut deri më 8 janar./Spektri