Sot, në Beograd, u zhvillua me sukses konferenca vjetore Balkan Economic Forum 2025, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për dialog ekonomik dhe bashkëpunim rajonal në Ballkan.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, Dr. Bardhyl Canaj, mori pjesë në punimet e forumit, ku Ambasada e Shqipërisë në Beograd ishte mbështetëse zyrtare e këtij aktiviteti. Kjo mbështetje përforcon angazhimin e Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe stabilitetit rajonal, si pjesë e përpjekjeve për integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.
Konferenca u organizua nën kujdesin e Central European Initiative (CEI), dhe u bashkëfinancua nga Western Balkans Fund dhe kompania Red Hat, duke mbledhur së bashku liderë ekonomikë e politikë, akademikë, përfaqësues të biznesit, mediave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i forumit ishte diskutimi i sfidave ekonomike globale dhe rajonale, si dhe shkëmbimi i ideve dhe strategjive për rritje ekonomike, integrim dhe konkurrueshmëri të qëndrueshme.
Ndër pjesëmarrësit kryesorë ishin edhe Z. Gjergj Murra, Drejtor i Fondeve të Ballkanit Perëndimor; Z. Ardian Hackaj, Koordinator i Forumit të Ndërlidhjes së Tiranës; dhe Dr. Ornela Çuçi, ish-Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi zhvillimet ekonomike dhe sfidat e rajonit.
Konferenca Balkan Economic Forum 2025 u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, me mbështetjen aktive të institucioneve shqiptare.